Lajme Shqip Wednesday, 13 July 2011 13:37

Tiranë – Interesimi nga biznesi privat për shfrytëzimin e mineralit të bakrit konsiderohet ende i vogël në krahasim me mineralet e tjera, edhe pse rezervat e nxjerrshme gjeologjike llogariten në rreth 50 milion ton me përmbajtje të elementit të dobishëm Cu me1.3-2.5 %.

Për këtë mineral ende vërehen aktivitete të pakta shfrytëzimi dhe eksplorimi nga kompani të huaja të specializuara në këtë fushë. Aktualisht, rezervat gjeologjike në minierat në aktivitet prej 4.683.000 ton me 1.39 % Cu, zënë rreth 17.6% të rezervave në total. Deri sot, në vend operojnë 4 kompani të pajisura me leje shfrytëzimi dhe 7 për kërkim-zbulim.

Sipas studimeve të kryera për këtë lloj minerali dhe analizave të hollësishme tekniko-ekonomike dhe financiare nga grupe pune të sektorit në ministrinë e Ekonomisë është përcaktuar perspektiva e tyre në të ardhmen.

Ministria e Ekonomisë ka përcaktuar drejtimet kryesore të zhvillimit të industrisë minerare të bakrit, me synim, që përmes tërheqjes së kompanive të njohura minerare botërore, të maksimalizojë jo vetëm nxjerrjen, por sidomos përpunimin e mineralit dhe prodhimin në vend të metalit të bakrit dhe të tjerëve shoqërues.

Për këtë qëllim synohet të tërhiqen kompani minerare që përdorin teknologji moderne eksploruese dhe studime komplekse si bazë e nevojshme të dhënash, me qëllim tërheqjen e kompanive të investimeve dhe eksplorimit, për të cilat kërkohet promovim i hollësishëm i studimeve.

Zbatimi i detyruar i teknikave minerare efektive në minierat ekzistuese, mbetet detyrë me qëllim që të bëhet e mundur nxjerrja e mineralit me cilësi të lartë por dhe të ulët për një zhvillim të qëndrueshëm më efektiv.

Ministria e Ekonomisë përmes strategjisë së re për sektorin minerar parashikon detyrimin e zbatimit të veprimtarisë efektive në fabrikat e pasurimit, duke rritur cilësinë e pasurimit nga 85%, në 90% në përputhje me praktikat ndërkombëtare më të mira.

Gjithashtu në zhvillimin e kësaj industrise, METE synon inkurajimin dhe nxitjen e nxjerrjes së metaleve të zinkut dhe të tjerëve në fabrikat e pasurimit me qëllim arritjen e vlerave të plota të mineralit. Krahas tyre, parashikohet edhe  inkurajimi tek kompanitë konçensionare për ripërpunimin e mbetjeve.

Kjo gjetje synon rritjen e rikuperimit të bakrit nga mineralet e nxjerra dhe të tjerëve elementë me synim fitimin e vlerës shtesë nga aktivitetet e mëparshme minerare dhe reduktimin e ndikimit në mjedis të mbetjeve.

Përmes një programi të detajuar, METE do të synojë identifikimin e zonave që kanë rezerva të përllogaritura të mundshme nga 10.000 ton deri në 50.000 ton metal bakër, por edhe më shumë si dhe organizimin e procedurave konkuruese për licencimin e kompanive private që do të merren me këtë aktivitet.

Objektet më të përshtatshëm për zhvillimin e industrisë së bakrit mund të jenë: vendburimi i Lak-Roshit, Perlatit Jugor, Gurthit Nr.3, në vartësi të konjukturës së çmimit, vendburimi i Spaçit, Karma 2, Bregu i Gështenjës.

Sipas studimeve, rezervat gjeologjike në masën 59.3% të vendburimeve të reja të bakrit ndodhen në vendburimin e Munellës.

Për këtë vendburim, METE ka vendosur në Strategjinë e fundit të Zhvillimit Minerar që të vlerësohet ulja e humbjeve të mineralit të nxjerrë përmes teknologjive të reja, rritja e rendimentit në prodhim minerali dhe ulja e kostos, rikuperim në pasurim 90-92 %, zbatimi i një skeme përpunimi dhe pasurimi duke marrë në konsideratë edhe marrjen e të gjithë elementeve shoqërues (Au, Ag, Zn, etj.) me efiçencë të lartë.

Përmes këtyre kërkesave, METE synon realizimin e ciklit të plotë të bakrit në vend, duke përfshirë të gjithë mineralet e zbuluar dhe nga kompani të tjera në zonë.

Gjithashtu METE parashikon edhe pasurimin e mineraleve të varfra në baker, bazuar në studime të mirëfillta dhe më tej, në hartimin e një programi investimesh të detajuar dhe me objektiva të qarta.

Sipas studimeve, rezervat gjeologjike në vendburimet e reja prej 13 434 753 ton me rreth 1.9 % Cu, përfaqësojnë rreth 50% të rezervave të përgjithshme, nga të cilat rreth 29% e totalit dhe 59.3% të vendburimeve të reja ndodhen në vendburimin e Munellës.

Pjesa tjetër e rezervave gjeologjike prej 5.465 813 ton me 2.65 % Cu, ndodhet në 4 vendburime: Lak Roshi, Perlati Jugor , Karme 2 dhe Bregu i Gështenjës.