Lajme Shqip Tuesday, 14 August 2012 11:05

Athinë – Në një intervistë për “Tirana Times” që më pas është publikuar edhe në faqen online të ambasadës azere në Greqi, Mustafayev tha se siç edhe ka konfirmuar gjatë takimeve që ka zhvilluar në Tiranë, “Azerbajxhani është gati të investojë në projektin TAP për të ndihmuar anëtarët që ta zhvillojnë atë”.

Projekti TAP është një nga variantet që Azerbajxhani po studion për të sjellë gaz nga rajoni i Kaspikut drejt Europës. Rivali i tij kryesor është projekti është “Nabucco West” që kalon nga pjesa veriore e kontinentit duke përfunduar në Austri e duke anashkaluar kështu vendin tonë. Ambasadori azer ka pohuar se për vendin e tij të dyja projektet mbahen në konsideratë në mënyrë të barabartë dhe se një përzgjedhje do të bëhet vetëm në vitin 2013.

Por ai e bëri të qartë se nëse TAP nuk përzgjidhet, “përgjegjësia kryesore do të bjerë mbi aktorët rajonalë. Azerbajxhani nuk mund të dojë progresin e TAP më shumë se qeveritë e Greqisë, Shqipërisë dhe Italisë. TAP ka nevojë për mbështetjen e plotë të këtyre vendeve, përndryshe ai nuk do të ketë një të ardhme. Të gjitha lejet dhe aprovimet e nevojshme duhet të jepen nga të treja vendet, dhe marrëveshje ndërqeveritare duhet të realizohen. Çdo vonesë në këtë drejtim mund të rezultojë në skualifikimin e TAP”, paralajmëroi ambasadori. “Siç nënvizoj gjithmonë gjatë takimeve të mia në Athinë dhe Tiranë, që nga muaji shkurt, Greqia, Shqipëria dhe Italia duhet të krijojnë një grup [pune], bashkimi i dhe koordinimit është i vetmi çels drejt suksesit”.

Duke folur mbi marrëdhëniet bilaterale mes Tiranës dhe Bakut, ambasadori azer tha se “Shqipëria është partner i ri, por shumë i rëndësishëm për Azerbajxhanin. Jo vetëm për shkak të tubave të gazit dhe diplomacisë së energjisë që rrotullohet përreth tyre, por gjithashtu për faktin se rajoni i Ballkanit po rezulton të jetë një drejtimet prioritare për investimet dhe politikën tonë të jashtme. Bashkëpunimi në investim, mund të mbulojë jo vetëm sektorët e gazit dhe naftës, por gjithashtu edhe sektorë të tjerë të ekonomisë, përderisa, siç mund ta dinë, zhvillimi i sektorëve të tjerë përtej atij energjetik janë prioriteti më i madh i qeverisë së Azerbajxhanit”.

Përveç marrëveshjeve të nënshkruara gjatë vizitës së fundit të Kryeministrit Berisha në Baku, që sipas ambasadorit Mustafayev “tashmë janë në fuqi, pesë drafte të tjera mbi çështje të ndryshme të bashkëpunimit bilateral janë në ‘tubin’ e konsiderimit”. (Sh.C)