Lajme Shqip Monday, 13 February 2012 20:00

Autoriteti i Konkurrencës mund të hetojë tregun e fluturimeve. Burime nga ky institucion bëjnë të ditur se kompania Albanian Airlines ka paraqitur një ankesë, pas ndërprerjes së aktivitetit të saj, në Nëntor të vitit të kaluar. Autoriteti i Aviacionit Civil revokoi certifikatën e fluturimit të Albanian Airlines, me argumentin se kjo shoqëri nuk plotësonte kriteret teknike të Komitetit të Sigurisë së Transporteve në Bashkimin Europian. Por, Albanian Airlines e cilësoi vendimin si të padrejtë dhe akuzoi Autoritetet se po përpiqen të favorizojnë kompaninë konkurrente, Belle Air. Për këtë arsye, kompania e biznesmenit turk, Ali Evsen, i është drejtuar edhe Autoritetit të Konkurrencës, me pretendimin se vendimi i Autoritetit të Aviacionit Civil dëmton konkurrencën dhe krijon një monopol të Belle Air, që ngelet e vetmja kompani shqiptare e fluturimeve.

Është hera e dytë që kjo kompani bëhet objekt akuzash të tilla. Belle Air nisi aktivitetin në vitin 2005 dhe, menjëherë pas hyrjes së saj në treg, Ministria e Transporteve bllokoi kompaninë konkurrente Albatros Airways. Kjo i mundësoi Belle Air një zgjerim të shpejtë në treg. Sipas të dhënave të Aeroportit Ndërkombëtar të Rinasit, deri në fund të 9-mujorit 2011 Belle Air zinte 46% të tregut të fluturimeve, sipas numrit të udhëtarëve. Pas pezullimit të aktivitetit të Albanian Airlines, besohet se pjesa e tregut të Belle Air të jetë rritur akoma më shumë. Me daljen nga loja të Albanian Airlines, Belle Air, në destinacione të veçanta, sidomos drejt Italisë, është tashmë një monopol. Përqendrimi në rritje i tregut të fluturimeve ka bërë që Autoriteti i Konkurrencës shqyrtojë mundësinë e hapjes së një hetimi. Vendimi pritet të merret brenda kësaj jave. Nëse hapet një hetim, ai duhet të përcaktojë pozitën e mundshme dominuese apo monopoliste të Belle Air dhe, ç’është me rëndësishmja, nëse Belle Air po abuzon me këtë pozitë dominuese në tregun e fluturimeve. (LajmeShqip.com)