Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 16:48

TIRANË – Kompania austriake “Austrian Lotteris” shpallet fituese e koncesionit për të menaxhuar Llotarinë Kombëtare.

Në një njoftim zyrtar, Ministria e Financave bëri të ditur se, Komisioni i Vlerësimit të Aplikimeve, ka renditur shoqërinë austriake përpara garuesit tjetër, “LTO Consortium”. Sipas njoftimit të këtij dikasteri, kompania austriake “Austrian Lotteries” është renditur e para me 90.7250 pikë, kundrejt kompanisë “LTO Consortium” që kishte 76.5750 pikë.

Tashmë licenca e të vetmes llotari kombëtare, për 10 vjet do të menaxhohet nga kompania austriake, e blerë për 3 milionë euro.

Operatori që fitoi licencën për llotari kombëtare do të paguajë tatim fitimin në masën 10%, taksat lokale, TVSH 20% për çdo blerje, 10% mbi çdo divident që do të tërheqë, do të paguajë 10% si tatim të mbajtur në burim ndaj çdo çmimi që do të shpërndajë, si dhe detyrimet për sigurimet shoqërore për të punësuarit. Si çdo biznes tjetër, kompania austriake do të paguajë 10% të xhiros së tij bruto si detyrim ndaj buxhetit dhe publikut për të drejtën për të zhvilluar këtë lojë, 0,5% të xhiros së tij bruto, si detyrim ndaj institucioneve shtetërore për monitorimin që ata do t’i bëjnë, si dhe do t’i kthejë publikut të paktën 50% të xhiros së tij bruto në formën e çmimeve.

Gara për dhënien me koncesion të llotarisë kombëtare u kontestua nga të paktën dy shoqëri të huaja, për shkak të kritereve kufizuese që në vlerësimin e tyre kufizonin konkurrencën. Por, Ministra e Financave vijoi procedurat e tenderit duke arritur deri në shpalljen e fituesit.(LajmeShqip.com)