Lajme Shqip Thursday, 08 September 2011 16:32

Prishtinë – Administrata Tatimore e Kosovës gjatë periudhës janar-gusht 2011, ka mbledhur 174 milionë euro, duke realizuar rreth 67 për qind të planit vjetor të grumbullimit të të hyrave.

Administrata Tatimore ka vazhduar trendin e grumbullimit të të hyrave për buxhetin e Kosovës sipas planifikimit.

Shifrat i paraqiti drejtori i ATK-së, Behxhet Haliti. Ai shfaqi bindjen se plani i paraparë nga qeveria për mbledhjen e rreth 270 milionë eurove, do të përmbushet në tërësi gjatë këtij viti.

Haliti njoftoi se ATK-ja prej këtij muaji do të zbatojë sistemin për deklarimin elektronik të tatimit, i cili fillimisht do të jetë në dispozicion të tatimpaguesve të mëdhenj.

Përmes këtij sistemi, niveli i sigurisë do të jetë më i lartë. Sipas tij, trajnimi i tatimpaguesve për përdorimin e sistemit ka filluar tashmë, ndërkaq pajisjet për kyçje në vlerë prej rreth 40 deri në 50 euro i shpërndan falas ATK-ja. Tatimpaguesi i parë që ka instaluar këtë sistem është kompania Limak Lion që menaxhon Aeroportin e Prishtinës. (LajmeShqip.com)