Lajme Shqip Friday, 14 September 2012 15:06

Tiranë – Tenderi për privatizimin e katër HEC-eve: Bistrica 1 dhe 2, Ulëz dhe Shkopet, dështoi pasi asnjë nga 8 kompanitë, që kishin tërhequr dokumentat, nuk paraqiti ofertat në datat e caktuara nga METE, në 10 dhe 13 shtator.

Zv/ministri i Ekonomisë, Sokol Dervishaj, deklaroi sot, duke ju referuar ligjit përkatës për privatizim, se “në këto kushte, Komisioni i Vlerësimit do t’i njoftojë ministrit të Ekonomisë dështimin e këtij procesi si dhe do të ndërmarrim ndryshimet e nevojshme për zhvillimin e tenderit në një tjetër afat, pasi disa nga kompanitë e interesuara kanë shprehur disa kërkesa”. Ai deklaroi se shkaqet lidhen me disa kërkesa nga kompanitë e interesuara për këtë privatizim, të cilat  kërkojnë disa kushte, që lidhen me rregullime të tregut të energjisë, me sistemin bankar, etj.

Për këtë qëllim, Dervishaj tha se do i propozohen qeverisë disa ndryshime që lidhen me rregullimin e tregut të energjisë, raportet e  kompanive private me KESH-in, etj, për të rihapur garën më vonë. Qeveria zgjodhi IFC-në si kompaninë konsulente për privatizimin e këtyre hidrocentraleve. Tenderi për privatizimin e 2 HEC-eve, Bistria 1 dhe Bistrica 2, u zhvillua në datën 10 shtator, ndërsa për 2 të tjerët, Ulëz dhe Shkopet, në 13 shtator në ministrinë e Ekonomisë.

Në konferencën për mediat në 10 shtator, nuk u bënë të ditur emrat e kompanive të interesuara. Por zv/ministri i METE-s, Sokol Dervishaj, sqaroi se kjo bëhet për “shkak të kompleksitetit të procesit si dhe për të ruajtur konfidencialitetin. Duke qënë se në garë janë grupime kompanish të interesuara për të dy procedurat dhe për shkak të një sugjerimi të fortë nga konsulenti IFC, nuk mund t’i bëjmë të ditur as emrat e kompanive ofertuese, as numrin e paraqitur”. 

Dervishaj shtoi se “kjo është procedura e parashikuar në rregullat e tenderit dhe në rregulloren e procesit dhe është sugjeruar  nga konsulenti IFC”. Kuvendi miratoi në 9 Qershor 2011 ligjin për privatizimin e 4 HEC-eve të mesëm: Ulëz, Shkopet, Bistrica 1 dhe 2, të parat vepra energjetike në Shqipëri, që parashikon shitje të aksioneve, por dhe dhënie me koncesion.

Pas ndarjes si asete nga KESH-i, kompania konsulente IFC studioi e përfundoi në pranverë fazën e studimit për përgatitjen e tyre në privatizim. Në 15 Maj, Komisioni për Vlerësimin e Shprehjeve të Interesit për privatizimin e 4 HEC-eve ftoi 3 kompani: “EVN”, “VERBUND Hydro Power AG” dhe grupin francez “CNR & CN’AIR”, që të merrnin pjesë në privatizim pas shprehjes së interesit për blerjen e tyre dhe pasi plotësonin kërkesat në tenderin ndërkombëtar.

Në këto kërkesa përfshiheshin çertifikata e regjistrimit, çertifikatë nga gjykata, pasqyrat financiare të vitit të fundit financiar, informacion mbi eksperiencën teknike dhe profesionale në operimin e hidrocentraleve dhe marrëveshjen e bashkimit të operatorëve (në rast konsorciumi), etj. Ndër kriteret financiare që duhet të përmbushë çdo kompani në garë është dhe kushti që të ketë një kapital mbi 25 milionë euro.

Por në tenderin e zhvilluar në fillim të muajit Qershor, të 3 kompanitë dhanë oferta më të ulëta nga parashikimi. Në 11 Korrik ministria e Ekonomisë deklaroi shtyrjen për në 10 shtator të garës për shitjen e dy HEC-eve në Bistricë dhe në 13 shtator për HEC-et e Ulzës dhe Shkopetit. Burimet e METE-s thanë se “kjo shtyrje afati erdhi si pasojë e kërkesës për më shumë kohë nga kompanitë konkurruese”.

HEC-i i Ulzës u ndërtua në vitin 1957 dhe në vitin 1963 u fut në punë HEC-i i Shkopetit mbi lumin Mat. Pas tyre në dy vjet u ndërtuan dy të tjerë në lumin Bistrica. HEC-i Bistrica 1 ka 3 turbina me prodhim mesatar vjetor 165 Gwh. Ndërsa HEC-i Bistrica 2 ka një turbinë, prodhim mesatar vjetor 135 Gwh. Të dy HEC-et në Bistricë, që së bashku kanë fuqi të instaluar 29.5 MW, janë në gjendje të mirë teknike, pasi banka gjermane KfW ka financuar 30 milionë euro kredi për fuqizimin e tyre. Ndërsa 4 HEC-et në total kanë fuqi të instaluar 83 MW, prodhojnë 300 milion kwh/vit dhe zënë rreth 6% të totalit të prodhimit në vend të energjisë elektrike.

Pas deklarimit nga METE si “proces i dështuar”, deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, kërkoi që të 4 HEC-et të mos futen më në privatizim, pasi ato kanë vlera të kosiderueshme për sistemin elektroenergjetik shqiptar. Braçe ishte sot bashkë me deputetët socialistë Taulant Balla dhe Eduard Shalsi të pranishëm në hapjen e ofertave për këto privatizime në ministrinë e Ekonomisë. “Këto HEC-e duhet t’i nxjerrim menjëherë nga shitja me qëllim, që një pasuri kombëtare të mos shitet me çmime fare fare të ulëta dhe qesharake dhe mbi të gjitha, të mos shitet për të rënduar edhe më situatën e Koorporatës Elektroenegjetike Shqiptare që është një nga pasuritë më të mëdha të shqiptarëve”, tha ai.

Privatizimi i 4 HEC-eve është vlerësuar nga qeveria si hap i domosdoshëm për terheqjen e kapitalit dhe “know-how” të investitorëve të huaj, liberalizim i mëtejshëm i tregut dhe rritje të konkurencës në sektorin e prodhimit të energjisë elektrike. (LajmeShqip.com)