Lajme Shqip Monday, 05 March 2012 19:07

Prishtinë-Qeveria e Kosovës ka arritur pajtueshmëri për programin e ri “Stand By” me FMN-në, përmes të cilit do të përfitojë 107 milionë euro për buxhetin e Kosovës.

Kosova është në rrugë të mirë për të përfituar fonde për buxhetin e Kosovës nga mekanizmat financiarë ndërkombëtar, si FMN-ja dhe Banka Botërore.

Misioni i FMN-së, i cili ka qëndruar në Kosovë për dy javë, ka vlerësuar pozitivisht programin e monitoruar nga stafi, dhe janë harmonizuar qëndrimet për marrëveshjen e re “Stand By arrangement”, tha ministri i financave Bedri Hamza.

“Respektimi i kësaj marrëveshje nënkupton që Kosova do të mund t`i përfitojë edhe rreth 107 milion euro nga FMN-ja. Janë veprimet paraprake si kusht i kësaj marrëveshje që janë dy ligje, Ligji për BQK-në që është në Kuvend dhe ligji për fondin pensional, do të thotë trustin e kursimeve dhe normalisht disa masa strukturore që do të merren brenda buxhetit, pasi që edhe procesi i privatizimit është në vijim dhe ne nuk mund ta paragjykojmë përfundimin e këtij procesi”-tha Hamza.

Udhëheqësi i misionit të FMN-së për Kosovën, Johanes Vigand, tha se misioni gjatë qëndrimit në Kosovë ka bërë vlerësimin e rregullt të pasqyrës ekonomike të vendit, rishikimin përfundimtar të programit të monitoruar nga stafi, dhe ka filluar bisedimet për një program të mundshëm “Stand By”. Ai theksoi se rritja ekonomike në Kosovë sivjet do të jetë 3.8 për qind.

“Shumë vende të Evropës po kalojnë nëpër krizë të rëndë financiare dhe kjo e ka detyruar FMN-në të bëjë rishikimin për rritjen ekonomike në të gjitha vendet e Evropës. Ne kemi parashikuar një rritje për Kosovën për 3.8 për qind, dhe kjo është me e lartë se në vendet tjera të Evropës, pasi Kosova është më pak e ekspozuar ndaj krizës së Euros, dhe rrezikun kryesor e shohim nga rënia e investimeve të huaja dhe remitencave nga diaspora kosovare që jetojnë në Evropën Qendrore”.

Vigand theksoi se programin e monitoruar nga stafi e kanë vlerësuar pozitivisht, deficiti ka qenë 1.8 për qind nga 2.9 sa ishte paraparë në program, shumica e reformave strukturore janë plotësuar, e disa kushte janë plotësuar me vonesë, sidomos sa i përket termave të referencës së grupeve punuese për hartimin e kushteve të përfitimeve për programin për veteranët e luftës.

Përvec 107 milionë eurove nga FMN-ja, qeveria do të përfitojë edhe 30 milionë nga Banka Botërore. Edhe ministri Hamza tha se rritja do të jetë 3.8 për qind, nga 5 sa ishte planifikuar në fillim të vitit, ndërkaq theksoi se nuk do të ketë reduktime të projekteve, sic është ai i autostradës. Njëkohësisht ai pohoi se edhe buxheti i vitit 2013 do të hartohet në harmoni të plotë me FMN-në. (LajmeShqip.com)