Lajme Shqip Tuesday, 12 April 2011 11:18

Tiranë – Bankat duhet të kreditojnë më shumë ndërmarrjet e mesme dhe të vogla. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, tha se bankat kanë mundësi mëse të mjaftueshme për të parë me më shumë vëmendje këtë segment të biznesit.

“Veprimtaria e kreditimit duhet të mbështetet më mirë prej rritjes së qëndrueshme të burimeve të financimit, veçanërisht të depozitave. Në veprimtarinë e kreditimit, është e nevojshme të ketë një shpërndarje më të mirë sektoriale dhe një ekuilibër më të arsyeshëm midis projekteve të investimeve publike dhe private, midis formave të kredidhënies në lekë ose në monedhë të huaj duke orientuar kreditimin në favor të ekonomisë vendase,” u shpreh Fullani.

Ai kujtoi se zhvillimi tregut ecën gjithnjë me hap më të shpejtë se mbikëqyrja dhe ju bëri thirrje bankave të testojnë me kujdes produktet e reja që hedhin në treg. Guvernatori Fullani hapi sot në Tiranë konferencën e 24 Vjetore të Grupit të Mbikëqyrësve Bankarë të Evropës Qendrore dhe Lindore. Ky grup është themeluar që në vitin 1991 dhe ka si objektiv kryesor nxitjen e bashkëpunimit midis autoriteteve mbikëqyrëse të vendeve anëtare.