Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 16:01

Tiranë – Me gjallërimin e kërkesës në ekonomi, pritet që sistemi bankar të ofrojë një angazhim më të madh në kredidhënie për të mbështetur nevojat për financim. Banka e Shqipërisë në një analizë për problematikën e kredidhënies në Shqipëri gjatë vitit të kaluar vlerëson se, në ndërveprimin e faktorëve të ofertës dhe të kërkesës për vitin 2010, kërkesa e paktë ka qënë më përcaktuese për ecurinë e ngadaltë të kreditimit.

Individët vazhdojnë të perceptojnë pasiguri për të ardhmen, sikurse tregohet nga treguesit e besimit të tyre për ecurinë e ekonomisë dhe të tregut të punës. Kjo është reflektuar edhe në rritjen e prirjes së individëve për të kursyer dhe në një përqasje të kujdesshme ndaj kryerjes së shpenzimeve dhe financimin e tyre nëpërmjet kredisë.

Kundrejt një kërkese të ulët konsumatore për mallra dhe shërbime, kapacitetet prodhuese të bizneseve nuk janë shfrytëzuar plotësisht, ndaj edhe nevoja e bizneseve për kredi ka qenë gjithashtu e ulët. Në krahun e ofertës, megjithë situatën e mirë të likuiditetit dhe të kapitalizimit, bankat vazhdojnë të jenë ende të kujdesshme në dhënien e kredisë.

Ndër faktorët që kushtëzojnë këtë sjellje të bankave janë situata financiare e klientëve të tyre dhe situata në sektorë të veçantë të ekonomisë, si për shembull në atë të ndërtimit, aktiviteti ekonomik i të cilit është kontraktuar për disa tremujorë rresht. Sjellja e kujdesshme e bankave duket qartë në kushtet e dhënies së kredive, në të cilat, përveç normës së interesit, përfshihen edhe kushte të tjera, si kërkesat për mbulimin e kredisë me kolateral, lloji i kolateralit, raporti i këstit të kredisë ndaj të ardhurave, maturiteti maksimal apo shuma maksimale e kredisë. (LajmeShqip.com)