Lajme Shqip Wednesday, 07 September 2011 20:09

Tiranë – Amnistia fiskale nuk ka sjellë interesin e pritur, sidomos në pjesën e legalizimit të kapitaleve. Megjithatë, Hikmet Guler, drejtor i Përgjithshëm i Bankës së Bashkuar të Shqipërisë, thotë se këto lloj manovrash zakonisht i sjellin efektet e tyre në periudhën e fundit. “Është pozitive që njerëzve dhe ekonomisë t’ju jepet një shans i tillë.

Nga eksperienca, mund të them se amnistitë e kanë pjesën e tyre më aktive në fund. Njerëzit shpeshherë presin për të parë si po shkon procesi. Bankat kanë një rol të rëndësishëm në këtë proces, por ato janë institucione ndërmjetëse.

Për legalizimin e kapitaleve, rezultate nuk janë ato që prisnim, por, siç thashë, efektet mund të shihen në fund. Po të marrim shembullin e Turqisë, ishte pikërisht në javët e fundit që amnistia çliroi vlerat më të mëdha,” thotë Guler.

Sipas informacionit më të fundit të publikuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve, janë 58 miliardë lekë detyrime tatimore që mund të falen nga amnistia.

Nga këto, 11.4 miliardë lekë detyrime janë shqyrtuar dhe janë miratuar për t’u falur. Ndërkohë, nuk ka vlerësime të qarta për vlerën e kapitaleve në para që mund të çlirohen nëpërmjet legalizimit. Afati për individët dhe subjektet që duan të përfitojnë nga ky ligj është data 31 dhjetor 2011. (LajmeShqip.com)