Lajme Shqip Saturday, 28 April 2012 15:26

Tiranë – Indiferenca e përsëritur e biznesit në një proces amnistie fiskale i konsideruar prej tij si ‘jo i besueshëm’ e me pasoja prapa veprimi u konfirmua edhe me statistika, pavarësisht deklaratave të minsitrisë së Financave se ajo relaksoi tregun. Në këto kushte qeveria i dha një tjetër afat individëve për të përfituar nga amnistia fiskale, kur biznesi duket se nuk ka preferuar të pëfshihet në këtë proces, të cilin e konsideroi si një marrëdhënie të munguar për shkak të mosbesimit.

Në fakt procesit të amnistisë fiskale i erdhi fundi në 1 Prill, por biznesi ende shpreson për një projekt më të plotë. Qeveria shtyu afatin e rivlerësimit të banesave deri më datën 31 gusht. Kjo kërkesë u pa e domosdoshme si pasojë e fluksit të madh në zyrat e regjistrimit të pasurive të paluajtshme si dhe nga interesi shumë i madh i qytetarëve. Ministri theksoi se amnistia fiskale në tërësinë e saj arriti qëllimin për të relaksuar funksionimin e tregut, për ta çliruar atë nga borxhet e prapambetura dhe shtyrja që i bëhet vetëm njërit aspekt, atij që ka të bëjë me rivlerësimin e banesave, do të mundësojë që një numër më i madh qytetarësh shqiptarë të përfitojnë.
    
Shtyrja e afatit deri në 31 gusht, sipas Bodes, iu ofron dhe një shans tjetër emigrantëve për të legalizuar dhe rivlerësuar shtëpitë e tyre. Përmes këtij ligji, tha Bode, relaksohet tregu i banesave për shkak të shitjes me vlerën e vërtetë dhe hipotekimin sipas vlerës reale.
 
Por ndryshe nga ministria e Financave, biznesi e konsideroi amnistinë fiskale si është shembulli më i mirë i mundshëm që vërteton se marrëdhëniet e partneritetit biznes-ministri Financash nuk ekzistojnë, deklaroi Kryetari i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, Nikolin Jaka.Në një prononcim për ATSH-në, Jaka tha se amnistia fiskale nuk pati asnjë efekt pozitiv për biznesin. “Efektet pozitive të amnistisë fiskale ishin për legalizimin e aseteve, pasi qytetarët shqiptarë ishin të interesuar për të bërë legalizimin e aseteve dhe pronave të tyre. Mendoj se kjo ka qënë pjesa më e suksesshme e këtij procesi”, theksoi Jaka.

Kreu i DHTI-së theksoi se ne kërkonim gjithmonë që te pjesa e vetdeklarimit të kishte një marrëdhënie besimi midis biznesit dhe ministrisë së Financave dhe të sistemit të taksave. “Ajo çfarë sipërmarrja pa me skepticizëm ishte neni 22, pika 4, e cila pas vetdeklarimit, nëse kontrolli tatimor do vërente se do të kishte parregullsi, atëherë e quante nul vetdeklarimin e bërë nga sipërmarrja. Kjo ishte pika kyçe, e cila ka stepur sipërmarrjen për të qënë pjesë e deklarimit”, deklaroi Jaka. 

Pavarësisht deklaratave se tatimet nuk do të jenë selektiv në kontrollet e tyre pas mbylljes së procesit të amnistisë fiskale, Jaka shprehet se realisht as sipërmarrja dhe as qytetarët nuk kanë dëshirë të jenë në dorën e deklaratave apo vendimeve subjektive të organeve tatimore. “Ligji duhet të jetë i përcaktuar qartë dhe të mos lejë ekuivoke në interpretim”, tha ai. “Ne si dhomë tregtie nuk do të kërkojmë shtyrje, por do të lobojmë fort që të ketë një amnisti fiskale, ku të përfshihen kërkesat e Dhomës, të biznesit në tërësi. Pra një amnisti fiskale të plotë”, përfundoi Jaka. (LajmeShqip.com)