Lajme Shqip Saturday, 19 March 2011 17:22

Tiranë – Në projektin për amnistinë fiskale, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës krahas legalizimit te aseteve dhe faljes së gjobave, kërkon rivlerësim të kapitalit, pasi gjykon se nga analizat dhe studimet që kanë bërë specialistët e mirëfilltë, kapitali i sipërmarrjes nuk është i kuotuar në vlerën e tregut.

Kryetari i DHTI, Nikolin Jaka se “në rivleresimin e kapitalit duhet të përfshihet prona e paluajtshme, prona e luajtshme (makineri etj), si dhe emri dhe marka në treg”.

Efektet nga legalizimi i kapitalit, sipas Jakës, jane rritja e bazës së kreditimit si për zgjerimin e aktivitetit, edhe për nisma të reja, përgatija e sipërmarrjes shqiptare për t’u kuotuar në bursë, si një mundësi reale që ju jepet kompanive shqiptare për të qenë partner dinjitoz në ekonominë globale.

“Në këtë rast, propozimi i Dhomës së Tregtisë për këtë proces formalizimi të ekonomisë shqiptare është përdorimi i një tarife 2, deri në 3 për qind”, deklaroi Jaka.

Për amnistinë dhe legalizimin e aseteve të qytetarëve shqiptarë, DHTI, sipas Jakës propozon amnisti dhe legalizim të mjeteve financiare të qytetarëve shqiptarë për shumat deri në 150 mijë euro.

“Propozimi i Dhomës për legalizimin e mjeteve financiare konsiston në aplikimin e një tarife jo më shumë se 5 për qind”, theksoi ai. Për legalizimin e aseteve në formën e pasurive të paluajtshme të qytetarëve shqiptarë, ku vlera e tyre arrin deri në 200 mijë euro DHTI, propozon tarifën 0.

Ai e shpjegon përfshirjen e legalizimit të aseteve për qytetarët në këtë paketë të amnistisë, nisur nga një përllogaritje e thjeshtë që u bëhet të ardhurave të krijuara nga puna e padeklaruar, sidomos artizanate të ndryshme dhe emigrimi.

Sipas DHTI-së, “efekti i aplikimit të kësaj skeme për qytetarët, do të jetë ndikimi pozitiv sidomos në sektorin e ndërtimit, si industria më e goditur, pasi deri tani ekziston frika e blerjes, për shkak të kërkesës për deklarimin e të ardhurave dhe mundësia reale për krijimin e sipërmarrjeve të vogla dhe të mesme në ekonominë tonë nga qytetarët shqiptarë”.

Ndërsa lidhur me faljen e gjobave, etj, DHTI, kerkon që ky proçes të përfshijë faljen e detyrimeve, kamatave dhe gjobave në të gjithë sistemin fiskal për periudhën 20-vjeçare, tatime, dogana, sigurime shoqërore, duke aplikuar tarifa të arsyeshme, të cilat të shkojnë në favor të sipërmarrësit si dhe buxhetit të shtetit.

“Ka detyrime të prapambetura, që janë kthyer në gangrenë proceduriale jo vetëm për sipërmarrjen shqiptare, por dhe për vetë administratën e sistemit fiskal, pa përmendur detyrimet, apo procedurat, që vazhdojnë gjyqet pafundësisht duke krijuar kosto të pallogaritshme, si për ata që i kërkojnë dhe për ata që duhet t’i paguajnë, duke e konsideruar këtë amnisti si të parën dhe të fundit në llojin e vet”, deklaroi Jaka.