Lajme Shqip Saturday, 30 April 2011 09:04

Tiranë – Të ardhurat nga primet e sigurimit në periudhën janar-mars arritën rreth 2.233 milionë lekë, ose 7.7 % më shumë se tremujori i parë i vitit 2010, bëhet e ditur në raportin tremujor të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare.

Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 296.893, duke dyfishuar numrin e kontratave krahasuar me të njejtën periudhë të një viti më parë.

Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës që sollën rreth 87.96% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me rreth 12.04% .

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 57.29%, ndërsa primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 42.71% të totalit të tregut.

Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-mars 2011 u rritën me rreth 8.35% krahasuar me janar-marsin e vitit 2010. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto u përket sigurimeve motorike me 358 milionë lekë, apo 70.87% të totalit të dëmeve të paguara bruto.