Lajme Shqip Friday, 10 February 2012 15:10

Fiksimi i çmimeve të sigurimit të detyrueshëm motorrik nuk është bërë nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare. Për shkak të presionit mediatik, drejtuesit e këtij institucioni nuk pranuan sot të shpreheshin përpara kamerave.

Nëpërmjet një njoftimi për mediat, ata shpjegojnë se, ligjërisht AMF nuk ka të drejtë të përcaktojë çmimet, por vetëm të ndërhyjë në rast se ato bien nën kosto, apo nën të ashtuquajturin “prim rreziku”.

Sipas drejtuesve, tarifat që aplikuan kompanitë e sigurimeve vitin e kaluar dhe që për autoveturat zbritën deri në 4,500 lekë nuk mund të mbulonin dëmet e shkaktuara. Sipas tyre, detyrë e AMF është që të mbrojë publikun, duke garantuar një gjendje financiare të shëndoshë të kompanive të sigurimit, në mënyrë që ato të zhdëmtojnë të siguruarit. Qëndrimi i AMF megjithatë e shpjegon vetëm pjesërisht problemin.

Çmimet e reja të sigurimit të detyrueshëm motorrik janë më të larta se kostot e përllogaritura nga AMF, por janë pothuajse të njëjta për të gjitha kompanitë dhe, për më tepër, rritja e tyre është bërë në mënyrë të njëkohëshme.

Kjo shton dyshimet për një marrëveshje të fshehtë mes siguruesve për të fiksuar çmimet. Në një treg të lirë dhe kompetitiv, është praktikisht e pamundur që 8 kompani sigurimesh të vendosin njëkohësisht të njëjtat tarifa.

Për vitin 2011, të ardhurat nga sigurimi i detyrueshëm motorrik ranë me 25%, çka mund t’i ketë shtyrë kompanitë të heqin dorë nga gara e uljes së tarifave dhe të gjejnë një marrëveshje mes tyre. Kryetarja e Autoritetit të Konkurrencës, Lindita Milo, tha sot se nuk ka ende një qëndrim për këtë problem dhe la të kuptohej që institucioni i saj është duke mbledhur informacion.