Lajme Shqip Monday, 05 September 2011 14:45

Tiranë – AMC ka paraqitur ofertën më të lartë për licencën e dytë të teknologjisë së gjeneratës së tretë 3G. Hapja e ofertave u bë sot në mjediset e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP). Oferta e AMC kishte vlerën 15.1 milionë euro, ndërsa Eagle Mobile ofroi 12.9 milionë euro.

Ndërkohë, operatori i katërt, Plus Communication nuk ka marrë pjesë në garë. Vlera e përcaktuar nga qeveria si çmim dysheme ishte 12.5 milionë euro.

Fituesi pritet të shpallet zyrtarisht gjatë ditëve të ardhshme, ndërkohë që rregullorja e tenderit parashikon se vlera e ofertës do të zërë 90% të totalit të pikëve, ndërsa koha e mbulimit me rrjet do të zërë vetëm 10 pikë nga 100 të mundshmet. Me ofertën e paraqitur AMC pret vetëm zyrtarizimin si operatori i dytë 3G në vend. Aktualisht, Shqipëria ka vetëm një operator 3G, Vodafone Albania, që vjeshtën e kaluar fitoi garën për licëncën e parë duke ofruar 31.4 milionë euro.

Teknologjia 3G mundëson ofrimin e shërbimit të internetit me një shpejtësi më të lartë se ajo e brezit tradicional GSM. Edhe këtë herë qeveria ka vendosur t’i japë prioritet sigurimit të të ardhurave ndaj liberalizimit të tregut. Dhënia e licencave me garë është kundërshtuar nga operatorët celularë, që kanë kërkuar liberalizimin e plotë dhe dhënien e katër licencave të mundshme për të gjithë operatorët celularë. (LajmeShqip.com)