Lajme Shqip Thursday, 25 August 2011 14:59

Tiranë – Albtelecom dhe Motorola kanë nëshkruar sot marrëveshjen për furnizimin dhe instalimin e rrjetit të telefonisë fikse dhe wireless, për zgjerimin e zonës së mbulimit me internet edhe në zonat më të thella të vendit. Zbatimi i këtij projekti ka nisur së fundmi dhe deri tani 350 fshatra janë mbuluar më shërbimin e internetit nga Albtelecom, përmes Motorola Canopy Solutions.

Numri total i banorëve që kanë mundësi të përfitojnë nga ky shërbim është 420 mijë. Brenda pak muajve, më shumë se 1300 fshatra në të gjithë territorin e Shqipërisë do të kenë akses të plotë dhe me cilësi të lartë të shërbimit të internetit, madje edhe në zona të thella malore. Sipas drejtuesve të Albtelecom, projekti në fjalë do t’i mundësojë çdo familjeje apo biznesi të marrë një shërbim cilësor interneti, pavarësisht nga vendndodhja.

“Ne, si Albtelecom, ndjehemi krenarë që përmes këtij projekti do të ndryshojmë raportin e përdorimit të internetit mes zonave urbane dhe rurale të Shqipërisë. Ky përbën një hap të rëndësishëm në kuadrin e projektit “Shqipëria në moshën e internetit”.

Ne kemi disa projekte të tjera që do të bëjnë më të arritshëm internetin dhe do t’i ndajmë këto projekte me publikun, kur të jenë gati,” tha drejtori i përgjithshëm, Orhan Coskun.

Ky projekt pritet gjithashtu të rrisë cilësinë e shërbimit të internetit në shkollat e sistemit parauniversitar edhe në zonat më të thella të vendit. (LajmeShqip.com)