Lajme Shqip Sunday, 17 July 2011 10:56

Tiranë – Ardhja e një fluksi të madh emigrantësh për të kaluar pushimet verore në Shqipëri kërkon një fushatë të fortë marketingu nga institucionet financiare për njohjen e tyre me procesin e faljes fiskale, vëren sot AlbKonfindustria.

Përmes një njoftimi për mediat, kreu i AlbKonfindustria, Gjergj Buxhuku vëren se, sipas të dhënave të fundit, në  muajin e dytë të zbatimit të faljes fiskale, është i ulet numri i rasteve të përfshirjes në proces të kapitaleve të individëve, ndërsa njohuritë e emigrantëve shqiptarë për procesin dhe procedurat e faljes fiskale, të papërfillshme.

AlbKonfindustria vlerëson se, nga kjo vonesë mund të dështojë shtylla kryesore e përfitimit të ekonomisë kombëtare nga falja fiskale, sikurse është edhe hyrja në sistem e të ardhurave personale të qytetarëve shqiptarë me banim jashtë vendit.

“AlbKonfindustria ka parashikuar se do të ishin të ardhurat personale të emigrantëve shqiptarë si burimi kryesor i përfitimit të ekonomisë kombëtare nga procesi i faljes fiskale”, thuhet në këtë njoftim.

Gjithashtu, AlbKonfindustria vëren se gjendja e rëndë ekonomike e vendeve fqinj si Greqia, mund të shërbejë si një mundësi e mire psikologjike për tërheqjen e të ardhurave personale të emigrantëve shqiptarë dhe futjen e tyre në sistemin bankar të Shqipërisë.