Lajme Shqip Wednesday, 15 February 2012 14:14

Prishtinë- Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) mund t‘i lërë me orë të tëra të gjithë konsumatorët në terr gjatë ditëve në vijim, po qe se bllokohet importi i energjisë nga Serbia, ashtu siç ka paralajmëruar kjo e fundit.

Për shkak të konsumit të lartë, si pasojë e motit të keq që ka përfshirë gjithë Evropën, rrjetet e transmetimit janë mbingarkuar deri në pikat kritike dhe madje në disa vende ka patur dhe rënie të tyre.

Për shkak të kësaj situate qeveritë e shumë vendeve janë duke marrë masa drastike për të garantuar furnizimin e qytetarëve të tyre me energji.

Kjo situatë mund ta zhysë Ballkanin në një krizë të ashpër energjetike, përderisa Kosova dhe Shqipëria janë më të rrezikuarat.

Bullgaria, një nga eksportuesit më të mëdhenj të energjisë në rajon, ka deklaruar se do të ndërpresë përkohësisht eksportin, ndërsa Serbia lajmëroi ndalimin e tranzitimit të energjisë përmes rrjetit të saj duke i vendosur të gjitha kapacitetet në shërbim të korporatës vendase të energjisë.

Rrjeti transmetues i Serbisë është unaza kyçe e qarkullimit të energjisë në rajon, prej nga kalon shumica e shkëmbimeve energjetike. Qeveria serbe ka shpallur gjendjen e jashtëzakonshme deri në fund të muajit dhe gjatë kësaj periudhe nuk do të lejojë tranzitimin e energjisë nga rrjeti i saj në drejtim të vendeve të tjera.

Ky vendim i Serbisë kërcënon disa vende njëherësh të Ballkanit, veçanërisht Kosovën, Shqipërinë, Maqedoninë dhe Malin e Zi.

Drejtori menaxhues i Korporatës Energjetike të Kosovës, Arben Gjukaj, thotë për “Zërin” se nëse Serbia e ndërpren transitin e energjisë përmes rrjetit të vet, atëherë një situatë e tillë do ta vështirësojë dukshëm furnizimin e konsumatorëve me energji në vend, në kohën kur konsumi ka arritur në 1300 megavat energji, krahas 820 megavatëve sa është prodhimi vendor.

Sipas tij, vendet e rajonit e kanë shpallur gjendjen e jashtëzakonshme me qëllim që të mbrohen nga kontratat për transit të energjisë.

“Nëse dështojnë ta realizojnë transitin e energjisë, atëherë mund të penalizohen, ndërsa në rastet kur e shpallin gjendjen e jashtëzakonshme, atëherë nuk ka penalizime”, shprehet Gjukaj.

Kreu i KEK-ut pohon se situata e vështirë energjetike në Evropë ka ardhur pas ndërprerjes së furnizimit të Rusisë me gas, ku konsumatorët në mungesë të gasit për ngrohje e shfrytëzojnë energjinë elektrike.

Ai potencon se KEK-u është duke realizuar sasi të kufizuar të importit, shumë më pak se nevojat reale për import, për shkak të kësaj situate të paraqitur.

“Nëse kemi vështirësi në realizimin e importit, atëherë do të shpeshtohen reduktimet e energjisë elektrike në Kosovë”, ka nënvizuar Gjukaj.

Në Shqipëri, për shkak se rezervat vendase ndodhen në pikat më të ulëta, importi i energjisë po përballon aktualisht gati gjysmën e konsumit vendas.

Sipas Gjukajt, situata në Shqipëri është edhe më e rëndë për shkak të prodhimit të energjisë nga hidrocentralet dhe për shkak të borës dhe ngricave këto të fundit janë para kolapsit. Ndërsa Maqedonia tashmë e ka shpallur gjendjen emergjente./zeri