Lajme Shqip Saturday, 19 November 2011 12:00

Tiranë – Agjencia e Kthimit dhe Kompensimit të Pronave (AKKP) nis javën që vjen kompensimin financiar për 100 ish-pronarë, pas përfundimit të shqyrtimit të 43 kërkesave të grupit të pestë, pronat e të cilëve, janë prekur nga ndërtimet informale.

Kësti me vlerë totale prej rreth 117,9 milionë lekë do t’u shpërndahet 100 pronarëve dhe bashkëpronarëve, duke nisur në fillim të javës që vjen, thanë për ATSH-në burimet zyrtare të AKKP-së.

Burimet thanë se përfitimi për shpërblimin me këste arrin në masën 36,94% të shumës së përgjithshme në të holla, të miratuar me vendimet përkatëse të Këshillit të Ministrave dhe subjektet fituese do të kenë vlerat financiare disponibël në llogaritë e tyre bankare në ditët e para të javës në vazhdim.

Ndërkohë, AKKP do të vijojë punën në vijim për pronarët e tjerë, ku kriter mbetet afati i kërkesës së bërë për njohjen e pronës, vendimi për njohjen e pronave dhe hartat përkatëse.

Përfituesit do të kualifikohen për gjithë sipërfaqen për të cilën kanë kërkuar kompensim dhe jo vetëm për 200 m2 tokë. Kompensimi financiar i pronarëve do të bëhet për të gjithë sipërfaqen e tokës së shpronësuar, ndërsa  pagesa do të bëhet me këste.