Lajme Shqip Thursday, 01 September 2011 13:56

Tiranë – Siç raporton GlobalComms, Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP) ka filluar sot me fazën e dytë të zbritjes së çmimeve të interkoneksionit.

AKEP është duke implementuar metodologjinë e rregullimit të tarifave të terminimit nga operatori në operator dhe ka urdhëruar këto aplikime që në vitin 2010. Në kuadër të këtij plani, dy operatorët dominantë të tregut, Albanian Mobile Communications (AMC) dhe Vodafone kanë ulur çmimet e tyre të interkoneksionit nga 8.85 Lekë (0.09USD) për minutë, sa ishte deri më 31.08.2011, në 7.57 Lekë për minutë, derisa Eagle Mobile prej 1 shtatorit 2011 do të bëjë uljen në 8.85 Lekë nga 10.89 për minutë, sa e kishte deri dje. Të gjitha çmimet nuk përfshijnë TVSH-në.

Plani i implementimit përbëhet nga katër faza, gjegjësisht nga 01.03.2011 deri më 31.08.2011, prej 01.09.2011 deri më 31.08.2012, kur parashihet fillimi i fazës së tretë për uljen e çmimeve në 6.52 Lekë për minutë, e cila do të zgjasë deri më 31.08.2013.

Plani final ka për qëllim uljen e tarifave dhe standardizimin e tyre në 4.57 Lekë për minutë, që parashihet të fuqizohet prej 1 shtatorit të vitit të 2013.

Sipas të dhënave të GlobalComms, në Qershor 2011, AMC-ja është operatori me më së shumti abonues dhe pjesë e  tregut prej 43.5%, i pasuar nga Vodafone me pjesëmarrje në treg me 27.8% si dhe Eagle Mobile me pjesëmarrje në treg me 18.8%. (LajmeShqip.com)