Lajme Shqip Monday, 21 November 2011 17:30

Ministria e Financave paraqiti sot në Këshillin Konsultativ të Biznesit disa ndryshime në Ligjin për Akcizat.

Risia kryesore e amendimeve konsiston në faktin se, akciza do të mblidhet nga administrata doganore. Aktualisht, akciza mblidhej nga Doganat vetëm për mallrat e importit, ndërsa për prodhimin vendas mbledhja bëhej nga autoritetet tatimore.

Zëvendësministri i Financave, Alfred Rrushaj, tha se, ky ndryshim është në kuadrin e përafrimit të legjislacionit me Bashkimin Evropian dhe synon të ulë hapësirat e evazionit fiskal. Sipas tij, Drejtoritë e Doganave kanë infrastrukturën dhe eksperiencën e përshtatshme për të administruar më mirë mbledhjen e akcizës.

Përfaqësuesi i Dhomës Amerikanë të Tregtisë, Genc Boga, kontestoi dispozitat që detyrojnë bizneset të lënë garanci për gjobat që mund t’ju vendosin autoritetet fiskale. Sipas projektligjit, në rastin kur një biznes apelon gjobën në Gjykatë, duhet të lërë si garanci në bankë shumën e gjobës.

Sipas ligjit për akcizat, pulla e akcizës për produktet shqiptare duhet të vendoset që në linjat e prodhimit, ndërsa për produktet e importit kjo do të bëhet në magazinat doganore. Përfaqësues të komunitetit të biznesit të pranishëm në takim, shprehën shqetësim se ky trajtim rrit kostot për industritë vendase dhe mund të krijojë hapësira evazioni për produktet e importit.