Lajme Shqip Tuesday, 16 August 2011 13:23

Tiranë – Shoqëria Porto Romano sh.a do të gjobitet nëse ka bllokuar në mënyrë të paargumentuar shkarkimin e gazit në terminalin e Porto Romanos. Pas ankesës së djeshme nga Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve, Lindita Milo, kryetare e Komisionit të Konkurrencës, thotë se në kuadrin e hetimit që ka nisur, do të verifikohen shkaqet e moszbatimit të masave të përkohshme të vendosura nga Autoriteti.

Sipas ligjit, Komisioni i Konkurrencës mund të vendosë gjoba periodike deri në 5% të xhiros mesatare ditore, deri sa shoqëria të zbatojë vendimin për masat e përkohshme. Pas ankesës nga shoqëria “Mare Oil”, mbi shoqërinë që administron kompleksin e Porto Romanos bie dyshimi se po abuzon me pozitën dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit të gazit të lëngshëm.

Shoqëria që është ankuar zyrtarisht ngre pretendimin se po pengohet të shkarkojë një anije me gaz të lëngshëm në Porto Romano, me pretekstin e mungesës së disa dokumenteve, që në fakt nuk përfshihen në rregulloret teknike të miratuara nga institucionet. Autoriteti i Konkurrencës vendosi në fillim të muajit gusht të hapë hetim me këtë objekt.

Shoqata e Shoqërive të Hidrokarbureve u ankua dje me një letër publike se shoqëria “Romano Port Sh.a” po shkel të drejtën e barazisë në përdorimin e objektit që ka ndërtuar me konçesion dhe po diskriminon subjekte të veçanta. (LajmeShqip.com)