Lajme Shqip Monday, 17 August 2015 13:24

Sektori shëndetësor në Kosovë vazhdon të përballet me probleme të vjetra. Ato nuk shënuan përmirësim në kohën kur Ferid Agadi e drejtonte këtë dikaster, e nuk po zgjidhen as me Imet Rrahmanin ministër.

Drejtimi i institucioneve me ushtrues detyre trashmë është bërë i zakontë në shëndetësinë kosovare.

Përpos klinikave në QKUK që për shumë vjet funksionuan me ushtrues detyre, njëjtë po qëndron edhe Agjensioni Kosovar për Produkte dhe Pajisje Medicinale (AKPM).

Në shtator bëhen dy vjet që kur AKPM-në e udhëheqë Arianit Jakupi, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv.

Anëtarë të Komisionit për Shëndetësi në parlamentin e Kosovës, thonë se mos-emërimet e personave kompetentë për drejtimet e institucioneve shëndetësore, po ndikojnë në një menaxhim të dobët të sektorit të shëndetësisë në vend.

Për deputeten e Vetëvendosjes, Besa Baftiu, drejtimi i institucioneve shëndetësore me ushtrues detyre, po bëhet për arsye politike.

E për anëtaren tjetër të komisionit për shëndetësi, Time Kadrijaj, vonesa të tilla janë shumë të pritura nga Ministria e Shëndetësisë.

“Nuk është asnjë e befasishme në sektorin shëndetësore, sepse ne dimë që prej 2010-ës të gjitha klinikat të QKUK janë udhëhequr me ushtrues detyre, sepse në momentin që është hapur konkursi, njerëzit që i kanë plotësuar kushtet dhe kriteret për drejtor të klinikave nuk janë pranuar, për shkak se ata nuk kanë qenë njerëz të aftë me pushtetin. Dhe, me automatizëm ata që vet e kanë hap konkursin kanë shkelë rregullat e konkursit dhe kanë emëruar drejtorë që nuk kanë përkuar me kriteret e konkursit”, thotë ajo.

Duke parë problemet në sektorin e shëndetësisë, Besa Baftiu mendon se mos-emërimi i personave kompetent, po ndikon që gjendja të mos përmirësohet.

KosovaPress ka kontaktuar Ministrinë e Shëndetësisë për të marrë informacione rreth konkursit për kryeshef ekzekutiv të AKPM-së, por zyrtarë të kësaj ministrie kanë treguar se këtë zgjidhje e bënë Ministria e Administratës Publike (MAP).

E zyrtarë të MAP-it nuk kanë dhënë detaje, veçse kanë thënë se konkursi për kryeshef të AKPM-së është hapur dhe mbyllur, e tani janë në procedura të përzgjedhjes.

Sipas tyre, kjo çështje do të zgjidhet në një afat prej 10 ditësh.

Më 10 shtator 2013, ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani emëroi anëtarin e bordit të ankesave në Agjensionin Kosovar për Produkte Mjekësore, Arianit Jakupi, ushtrues detyre të shefit ekzekutiv të AKPM-së.