Lajme Shqip Tuesday, 19 April 2011 16:32

Tiranë – Kur regjistrojmë numrin celular, kur presim një biletë avioni apo edhe thjesht kur marrim një kartë anëtarësie të një supermarketi, plotësojmë formularë ku vendosim të dhëna personale.

Mirëpo, rrallëherë shqetësohemi për mënyrën sesi do të përdoren të dhënat tona personale. Në fakt, subjektet që i administrojnë këto të dhëna jo gjithnjë i ruajnë dhe i përdorin sipas përcaktimeve të ligjit.

Për këtë arsye, Komisioneri i Mbrojtjes së të Dhënave Personale madje edhe ka gjobitur së fundmi njërën nga kompanitë celulare, Eagle Mobile. Ky institucion sot ka nënshkruar një marrëveshje me Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare, me qëllim mbrojtjen e të dhënave personale në komunikimet elektronike.

Ministri i Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit, Genc Pollo, tha gjatë nënshkrimit të marrëveshjes mes dy institucioneve, se operatorët privatë duhet të luajnë rolin e tyre në garantimin e sigurisë së të dhënave personale, jo vetëm duke ndjekur përcaktimet ligjore, por edhe duke hartuar Kode Sjelljeje vetërregulluese, në përputhje me praktikat e Bashkimit Europian.

Që prej vitit 2008, Shqipëria ka një ligj për “Mbrojtjen e të Dhënave Personale”. Zhvillimi i shpejtë formave të shumëllojshme të Komunikimeve Elektronike shton edhe rreziqet potenciale për keqpërdorimin e të dhënave personale.