Lajme Shqip Tuesday, 07 February 2012 20:30

Tiranë – Dikur një ndërhyrje mund të çonte deri edhe në vdekjen e gruas, sot është plotësisht e parandalueshme. Aborti në Shqipëri ka qenë i ndaluar para viteve ’90 dhe konsiderohej më së shumti si një metodë e planifikimit familjar.

Shpesh këto ndërhyrje kryheshin të provokuara, në kushte të papërshtatshme në banesa, apo vende të tjera, ndërsa shkaqet ishin të ndryshme. Gratë, nga kushtet e vështira ekonomike, apo arsye të tjera, drejtoheshin pranë materniteteve, apo banesa ku kryenin aborte të provokuara me mjete të ndryshme. Ndërsa mungesa e kushteve dhe provokimi i abortit çonte edhe në vdekjen e gruas.

Pavarësisht se të dhënat prej asaj periudhe, për shkak të mungesës së ligjit për lirinë e abortit, mungojnë, mjekët gjinekologë kujtojnë se mortaliteti dhe sëmundshmëria e nënës në atë periudhë ishte e rritur. Para viteve ’90, ishin një apo dy vdekje në muaj nga abortet e provokuara nga vajzat e reja, apo gra më shumë fëmijë, me nivel ekonomik të ulët, etj. Ndërsa shkaqet kanë qenë të ndryshme ato ekonomike, sociale, por dhe në shumë të ndarjes së çifteve.

– Ligji për lirinë e abortit  –
Pas viteve ’90, nisur edhe nga situata, një grup mjekësh ndërmorën hapin për të propozuar hartimin e ligjit për abortin, që gruaja deri në javën e 12 të ketë liri dhe mundësi të vendosë për ndërprerjen e shtatzënisë. Ligji i miratuar në vitin 1995 përcakton qartë se “ndërprerja e shtatzënësisë nuk do të konsiderohet në asnjë rast si metodë e planifikim familjar”. Ndërkohë, me lejimin e abortit, nisi dhe kryerja e kësaj ndërhyrje mjekësore në jo vetëm në maternitetet publike, por edhe në klinika private, të improvizuara më së shumti në banesa të mjekëve gjinekologë.

Menjëherë pas legalizimit të abortit, numri i aborteve të kryera nga femrat që jetonin në fshat ishte shumë më i lartë se ato që banonin ne qytet, ndërsa tani duket se raporti ka ndryshuar. Kjo, sipas specialistëve të Institutit të Shëndetit Publik, kryesisht për shkak të migrimit të brendshëm të popullatës nga zonat rurale në ato urbane. Ndërsa grupmosha, që drejtohet në spital për këtë ndërhyrje, është ajo 25-34 vjeç.

Rreth 92 % e aborteve kryhen nga gratë e martuara, kurse femrat beqare duket se preferojnë më tepër t’i kryejnë ndërprerjet në klinikat private. Specialistët e lidhin këtë fakt me ruajtjen e fshehtësisë dhe lehtësisë së praktikave të kryerjes së abortit në sektorin privat, pavarësisht se pagesa është gati 2-fishi i asaj që duhet të paguajnë në sektorin publik.

Në klinikat private në shumicën e rasteve kryhen ndërprerje shtatzënie me kërkesë të gruas, pasi abortet spontane shkojnë direkt ne sektorin publik.

Specialistët ndërkohë ngrenë shqetësimin se që nga viti 2007 e në vijim vihet re një rritje e aborteve spontane, ndoshta kjo për të mënjanuar pagesën më të larte në rastin e ndërprerjeve. Sipas të dhënave nga mjekë obstetër, për të kryer një ndërprerje ka procedura më të gjata dhe një pagesë prej 5000 lekë. Por në shumë raste mjeket i raportojnë abortet me kërkesë te gruas si aborte spontane, për t’u dhënë mundësi atyre të paguajnë më pak.

Nga ana tjetër, edhe pse numri i aborteve ka rënë në vite, specialistët besojnë se vazhdon të mbetet ende i lartë, duke patur parasysh edhe faktin e përdorimit te ulet te metodave moderne të planifikimit familjar (11 % sipas studimit demografik dhe shëndetësor), por edhe për faktin se aborti vazhdon ende të jetë i nënraportuar. Ndër faktorët kryesore për këtë, specialistët përmendin nënraportimin e aborteve të kryera në sistemin privat, por edhe një prirje për të deklaruar abortet e dëshiruara si aborte spontane apo barra me probleme, si dhe përdorimi i abortit që në shumë aplikohet dhe nuk raportohet.

Të dhënat nga INSTAT tregojnë se në vitin 1994 janë kryer 31,292 aborte, ndërsa ky numër ka ardhur në zbritje gradualisht deri në 9030 në vitin 2007. Numri më i madh i aborteve që nga viti 1994 është kryer në vitin 1995, me 32,268 të tilla.

Nisur nga kjo mjekët gjinekologë apelojnë që gratë/vajzat të drejtohen në maternitete, pasi kushtet janë të mira për të realizuar një ndërprerje të vullnetshme të shtatzënisë, por dhe pse personeli mjekësor punon me kujdes të madh dhe mjekët janë të specializuar, me eksperiencë. Ndërsa pyesim në maternitetin “Koço Gliozheni”, mjekët gjinekologë sqarojnë se për këtë procedurë është futur dhe një formular për dhënien e konsensusit për abortin dhe pasi e lexon, gruaja firmos dhe është e ndërgjegjshme për rrezikun. Kjo është dhe një mënyrë që dhe mjekët dhe gratë të jenë të mirinformuar mbi atë që ndodh, por dhe mjekët të mbrojtur me pasojat, që mund të ketë një abort.

Ndërkohë, nga ana tjetër aktualisht në vend nuk flitet më për vdekje nga abortet. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2006, 2005, si dhe në 1997, ka patur nga një vdekje nga aborti. Ndërsa, në vitin 1996 ka patur 2 vdekje nga aborti, në 1995, 3 të tilla, në 1994, 6 vdekje dhe në vitin 1993, kur dhe nis dokumentimi, ka patur 3 vdekje nga aborti.

– Aborti, shkaqet dhe pasojat –  
Mjekët këshillojnë që menjëherë pas kryerjes së kontaktit të parë seksual, vajzat, të shoqëruara nga nëna, të drejtohen tek mjeku gjinekolog për këshillim. Krahas ndihmës që u jepet vajzave për të mësuar mbi seksin e sigurt dhe ruajtjen nga sëmundjet seksualisht të transmetueshme që mund të merren, u ofrohet dhe këshillimi për planifikimin familjar, që të mos arrijnë në një abort.

Abort në mjekësi është procedura kirurgjike/mjekësore për të ndërprerë shtatzëninë. Në gjuhën mjekësore është “ekspulsioni i produktit të të koncepsionit deri në javën e 22 të shtatzënisë, apo nxjerrja jashtë e produktit të koncepsionit deri në javën e 22 të shtatzënisë quhet abort”.

Zakonisht janë dy lloj abortesh; spontane dhe ato terapeutike, apo ndërprerje e vullnetshme e shtatzënisë.  Ligji parashikon kryerjen e abortit deri në javën e 12, ndërsa deri në javën e 22 quhet abort në rast rreziku për jetën e nënës, apo të anomalive për jetën e fëmijës. Me një konsultë nga mjekët specialistë dhe një komision i përbërë prej 3 vetësh, vendoset ndërprerja e shtatzënisë pas moshës 12 javë të shtatzënisë.

Abortet spontane në rreth 50 % ndodhin për shkaqe të panjohura, ndërsa 50 %  ndodhin për raste që mund të jenë gjenetike, anomali të ndryshme, shkaqe të nënës, keqtrajtime të nënës, infeksione të ndryshme, etj.

Përsa i përket komplikacioneve dhe problemeve pas abortit ato janë të ndryshme. Në  ndërprerjet e vullnetshme të shtatzënisë, komplikacionet ndahen në të hershme dhe të vonshme, që mund të çojnë në mosmbetjen shtatzënë të gruas. Një ndër komplikacionet e abortit është dhe stresi, që përjetohet jo vetëm nga gruaja, por nga të dy bashkëshortët. Në raste të tilla ne i drejtojmë këto gra në konsultim me punonjësit socialë, të cilët ndodhen dhe në maternitete që bëjnë këshillimin psikosocial të grave.

Ligji lejon abortin deri në javën e 12 të shtatzënisë, ndërsa më pas vetëm në rast të rrezikimit të jetës së nënës, apo probleme të anomalie të fetusit, që identifikohen pas kësaj jave (12).

Ndërkohë, metodat e planifikimit familjar, me një tendencë rritjeve edhe pse në nivele të ulëta aktualisht, janë të rekomandueshme për shmangien e aborteve. Planifikimi familjar u legalizua në Shqipëri në maj 1997, ndërsa që nga janari i vitit 1996 me urdhër të Ministrisë së Shëndetësisë kontraceptivët shpërndahen falas në të gjithë shërbimet shëndetësore shtetërore. Një shumëllojshmëri metodash moderne kontraceptive janë të pranishme nga sektori publik (pa pagesë), marketingu social (i subvencionuar) dhe privat. (LajmeShqip.com)