Lajme Shqip Monday, 11 July 2011 15:51

Tiranë – 70% e kredisë bankare është e përqëndruar në Tiranë. Sipas Bankës së Shqipërisë, Tirana vazhdon të thithë pjesën dërrmuese të financimeve dhe për vitin 2010 kredia e dhënë në kryeqytet është rritur me një pikë përqindjeje më shumë ndaj totalit. Përqendrimi i kredidhënies në Tiranë është tregues i përqendrimit të lartë të aktivitetit ekonomik në këtë zonë, në të cilën operojnë rreth 40% e bizneseve në vend.

Bizneset në rrethin e Tiranës kanë thithur rreth 75% të stokut total të kredive të disbursuara për bizneset. Ato kanë shënuar një rritje shumë të lehtë krahasuar me rreth 74% që rezultonte një vit më parë. Shpërndarja gjeografike e kredisë për individë rezulton më proporcionale dhe e balancuar se kredia për biznese.

Individët në Tiranë kanë përfituar rreth 57% të stokut total të kredisë dhënë individëve, ndërsa pjesa e mbetur është e shpërndarë më njëtrajtësisht në rrethet e tjera të vendit. Mbi 80% e kredisë hipotekare është dhënë në rrethet Tiranë, Durrës, Vlorë e Fier, duke reflektuar zhvillimin më të madh të tregut të pasurive të paluajtshme në këto qendra.

Ndërkohë, kredia konsumatore është shpërndarë në mënyrë më të balancuar dhe konsumatorët e rrethit Tiranë kanë marrë rreth 53% të kredisë për konsum.

Struktura e stokut të depozitave në fund të vitit 2010 dëshmon për një përqendrim më të lartë të depozitave të biznesit në qytetin e Tiranës dhe një shpërndarje më të balancuar të depozitave të tyre ndërmjet rretheve të tjera krahasuar me një vit më parë.

Aktiviteti depozitues i individëve në përgjithësi është në përputhje me shpërndarjen gjeografike të popullsisë në vend, duke reflektuar në të njëjtën kohë edhe faktorë të tjerë si niveli i varfërisë dhe të ardhurat, emigracioni dhe prirjet për kursim dhe konsum. Kështu, Tirana zë rreth 41% të totalit të depozitave, ndërsa pjesa tjetër është kryesisht e përqendruar në rrethet me flukset më të larta të remitancave si vendet e ulëta dhe ato bregdetare. (LajmeShqip.com)