Lajme Shqip Wednesday, 17 August 2011 18:23

Tiranë – Rënia e të ardhurave në buxhet vazhdon të mbetet shqetësimi kryesor i Qeverisë, por dhe objekt i debateve ekonomike. Pas publikimit të treguesve fiskalë për 7-mujorin, vihet re se pamundësia për të rritur të ardhurat po sinjalizon për ecuri jo të mirë të ekonomisë.

Sipas të dhënave të publikuara nga Ministria e Financave, të ardhurat në buxhet për 7-mujorin  janë realizuar në masën 53.02% krahasuar me parashikimin vjetor. Të ardhurat për këtë periudhë rezultojnë 182.4 miliardë lekë.

Ndërkohë, shpenzimet në këtë periudhë arritën në vlerën 212.8 miliardë lekë, ose 54.45% krahasuar me parashikimin vjetor, gjë që solli një deficit buxhetor në masën 64.99%, ose në vlerë monetare prej 30.4 miliardë lekësh.

Performanca jo e mirë në realizimin e të ardhurave dhe nevoja për të mbajtur nën kontroll deficitin, e shtynë Ministrinë e Financave të rishikojë buxhetin e vitit 2011 për pjesën e dytë të vitit. Sipas ligjit të ndryshuar dhe të miratuar në Parlament, tashmë shkurtimi i shpenzimeve u bë në vlerën e 18.3 miliardë lekëve. Ndërkohë, niveli i të ardhurave u ul me rreth 14 miliardë lekë. (LajmeShqip.com)