Lajme Shqip Monday, 17 September 2012 09:14

PRISHTINË.-Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës tha sot se  me shumë se 60 mijë qytetarë kanë nënshkruar një peticion, duke shprehur vullnetin e tyre kundër privatizimit të ndërmarrjeve publike PTK, KEK dhe likuidimit të Trepçës.

Deklarata u bë para seancës së nesërme të Kuvendit të Kosovës, ku në rend dite është debati parlamentar lidhur me procesin e privatizimit në Kosovë.

“Nëse Kuvendi dhe Qeveria e Republikës së Kosovës nuk do ta marrë parasysh vullnetin e qytetarëve të shprehur në peticion, vullnetin e punëtorëve dhe sindikatave, ne si nismë e përbashkët e këtyre organizatave do të protestojmë fuqishëm me datën 20 shtator 2012”, paralajmëroi kryetari i BSPK-së, Haxhi Arifi.

Ai tha se Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës ka marrë iniciativën dhe është bashkuar edhe me shumë organizata të tjera në Kosovë, duke pasur parasysh gjendjen e rëndë ekonomike dhe sociale në vend, e cila, sipas tij, në masë të madhe vjen edhe si pasojë e procesit të privatizimit. (LajmeShqip.com)