Lajme Shqip Tuesday, 09 August 2011 14:41

Tiranë – Sistemi bankar rrit fitimet. Sipas të dhënave të publikuara nga Shoqata e Bankave, mbështetur në rezultatet e paaudituara, për 6-mujorin e parë të vitit bankat regjistruan një rezultat financiar pozitiv në vlerën e 6.6 miliard lekëve.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, fitimet e bankave janë rritur me 8.2%. Aktiviteti i bankave vazhdon të jetë i shëndetshëm dhe fitimprurës, megjithë rritjen e ngadaltë të kredidhënies dhe normën e lartë të kredive me probleme, që sipas të dhënave më të fundit ka kaluar nivelin e 16%.

Pavarësisht nga kjo, shumica e bankave për gjashtë muajt e parë të vitit raportuan rezultat financiar pozitiv. Nga 16 banka gjithsej, dhjetë e kanë mbyllur 6-mujorin me fitim dhe vetëm katër me humbje, ndërkohë që Alpha Bank dhe Veneto Banka nuk kanë publikuar asnjë informacion.

Bankat më të mëdha të sistemit vazhdojnë të sigurojnë fitime të kënaqshme. Nga pesë bankat më të mëdha, Intesa SanPaolo dhe Credins i kanë rritur ndjeshëm fitimet krahasuar me një vit më parë, ndërsa Raiffeisen, BKT dhe Tirana Bank kanë pësuar një rënie të lehtë të tyre. Bankat e përmasave të mesme, ProCredit, Societe Generale dhe NBG Bank kanë arritur fitime më të moderuara, por duket se kanë arritur ta stabilizojnë rezultatin e tyre financiar. Me humbje për 6-mujorin rezultonin Fibank, Emporiki, Banka e Kreditit të Shqipërisë. (LajmeShqip.com)