Lajme Shqip Thursday, 03 November 2011 18:11

Tiranë- Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka vendosur një gjobë tjetër për kompaninë CEZ Shpërndarje, në shumën e rreth 500 mijë eurove.

Sipas njoftimit zyrtar të Ministrisë, kjo masë erdhi vetëm një javë pas gjobës së parë, prej 30 milionë lekësh të reja, vendosur për CEZ Shpëndarjen nga Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë.

DPM, në vijim të kontrolleve pas ankesave të qytetarëve shqiptarë, ka vërejtur shkelje dhe abuzime të shumta të kompanisë CEZ përsa u takon vënies së sahatëve. Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës dhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë shprehet e vendosur në mbrojtjen e konsumatorëve shqiptarëve, duke paralajmëruar masa të reja nëse kompania CEZ Shpërndarje nuk zbaton ligjin.

Vetëm një ditë më parë në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Punës, përfaqësues të sindikatave dhe biznesit janë shprehur me tone mjaft kritike për performancën e kompanisë CEZ Shpërndarje.

Gjithashtu, grupet e interesit kanë kundërshtuar hapur kërkesën e kësaj kompanie për rritje të çmimit të energjisë duke nisur nga 1 Janari 2012.