Lajme Shqip Wednesday, 21 March 2012 15:23

Aktualisht, shteti shqiptar shpenzon 6.9 miliardë lekë ose rreth 50 milionë euro për rimbursimin e barnave dhe ekzaminimeve, nga 3.4 miliardë lekë që shpenzonte në vitin 2006.

Fondi i përdorur për rimbursim në vitin 2011 është 2 herë më i lartë se fondi i shpenzuar për këtë qëllim në vitin 2006. Drejtorja e Institutit të Sigurimeve të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana, tha sot në analizën vjetore institucionit, se rritje të konsiderueshme ka njohur edhe numri i përfituesve.

Sipas saj, nga viti 2007 në vitin 2011, janë 76 mijë pacientë më tepër, ose rreth 25 % më shumë.

Miratimi i ligjit të ri të Sigurimeve Shëndetësore, sipas zonjës Hana, bëri të mundur jo vetëm transformimin e ISKSH në Fond Sigurimesh, por siguroi një përsosmëri të funksionimit të skemës sociale të sigurimeve shëndetësore dhe njëkohësisht e orientoi ISKSH drejt një mentaliteti të ri në organizimin dhe funksionimin e tij, si edhe në marrëdhëniet e ardhshme me ofruesit e shërbimeve dhe përfituesit e tyre.