Lajme Shqip Thursday, 14 April 2011 13:32

Tiranë – Qendra për Tregtinë e Jashtme, ACIT, prezantoi sot raportin për tregtinë e jashtme gjatë vitit 2010.

Raporti konfirmoi vitin pozitiv në kuptimin e rritjes së volumeve të këmbimit dhe të rritjes së eksporteve në veçanti, por edhe të uljes së defiçitit tregtar.

Këmbimet tregtare të Shqipërisë gjatë vitit 2010 u rritën me 20% dhe kjo rritje ishte përkatësisht 11.4% për importet dhe 55.7% për eksportet. Eksportet shqiptare për vitin 2010 arritën vlerën 161 miliard lekë, vlera më e lartë historike që kanë shënuar ndonjëherë.

Sipas ekspertëve të ACIT, rritja e eksporteve i detyrohet kërkesës së jashtme, rritjes së çmimeve në bursa, por në një masë të caktuar edhe dobësimit të lekut në kursin e këmbimit me valutat kryesore.

Rritja e eksporteve kontribuoi në uljen e defiçitit tregtar në vlerë absolute dhe në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto. Defiçiti tregtar ndaj prodhimit të brendshëm në vitin 2010 ra në 26%, nga 28.7% që ishte në vitin 2009. Viti i mbarë i eksporteve solli rritje në një tjetër tregues të rëndësishëm, mbulimin e importeve nga eksportet, që u rrit në 33.5%, nga 24% që ishte një vit më parë.

Në tërësi, rritja e volumit tregtar të vendit përmirësoi  indeksin e hapjes së ekonomisë, që mat volumin e tregtisë me jashtë ndaj Prodhimit të Brendshëm Bruto. Indeksi i hapjes së ekonomisë për vitin e kaluar ishte 52.3%, me një rritje vjetore prej 4.6 pikësh përqindjeje.