Lajme Shqip Saturday, 20 August 2011 11:27

Prishtinë – Një delegacion nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural e Kosovës dhe 20 agrobiznese kosovare marrin pjesë në panairin ndërkombëtar të bujqësisë “AGRA 2011” në Republikën e Sllovenisë, i cili mbahet nga 20-25 gusht në Gornja Radgona.

Gjatë kësaj vizite zyrtare, ministri  Blerand Stavileci, në krye të delegacionit, do të takohet edhe me Presidentin e Republikës së Sllovenisë, Danilo Türk, ndërsa në takim me Ministrin e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ushqimit të Republikës së Sllovenisë, Dejan Zidan,  do të diskutojë pikat e marrëveshjes së bashkëpunimit, të nënshkruar ndërmjet Kosovës dhe Sllovenisë më 9 maj 2011.

Ministri Stavileci do të takohet edhe me Marek Saëicki, Ministër i Bujqësisë së Republikës Polake, i cili njëherësh është edhe kryesues i Këshillit të EU-së për Bujqësi dhe Peshkatari, si dhe me Kryetarin e Odës për Bujqësi dhe Pylltari në Republikën e Sllovenisë, Ciril Smrkolj.

Në panair, Republika e Kosovës për herë të parë prezantohet edhe me një “stendë” të veten, ku 20 agrobiznese kosovare do te promovojnë produktet e tyre dhe do të kenë mundësinë të krijojnë edhe kontakte të reja me agrobiznese të vendeve të ndryshme të rajonit dhe më gjerë.