Lajme Shqip Monday, 28 November 2011 14:15

Tiranë – Sipas të dhënave të publikuara nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, kompanitë e sigurimeve për 10 muaj kanë paguar 1.7 miliardë lekë dëme, me një rënie prej 2.6% krahasuar me një vit më parë. Por, nga ana tjetër, numri i dëmeve të paguara është rritur me mbi 11%, çka tregon se  kompanitë kanë paguar më pak për dëm të shkaktuar. Këto shifra evidentojnë më shumë se kurrë problemin kryesor të tregut të sigurimeve: shqiptarët paguhen pak për dëmet e pësuara. Pagesa mesatare për çdo dëm këtë vit ishte 123 mijë lekë, me një rënie prej 12% krahasuar me një vit më parë. Rënia e pagesës së dëmeve duket se lidhet direkt me rritjen modeste të të ardhurave edhe për 10 mujorin. Deri në fund të muajit Tetor, kompanitë e sigurimeve arkëtuan 7.1 miliardë lekë prime, me një rritje vjetore 4.5%. Aktiviteti i sigurimit të jetës vazhdon të ketë performancën më të mirë, me një rritje vjetore prej 33%, ndërsa tregu i jo-jetës u rrit me më pak se 2%. Liberalizimi i tarifave të sigurimit të detyrueshëm, TPL, motorrik ka bërë që kompanitë të konkurrojnë duke ulur tarifat dhe kjo ka bërë që të ardhurat të rriten me ritëm më të ulët. Të ardhurat nga sigurimi i detyrueshëm motorrik kanë rënë me afro 25% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë që ky produkt tashmë zë 30% në strukturën e të ardhurave, nga 41% që zinte një vit më parë. Liberalizimit i TPL-ve, në afatin e shkurtër, nuk po jep efekte pozitive në tregun e sigurimeve: kompanitë i shesin policat me çmime më të ulëta, por paguajnë më pak dëme. Qytetarët e blejnë më lirë sigurimin e detyrueshëm, por në fund kjo vlerë nuk është e mjaftueshme për t’i zhdëmtuar plotësisht në rast aksidenti, çka është në thelb qëllimi i sigurimit dhe arsyeja për të cilën ekziston biznesi i sigurimeve.