Lajme Shqip Wednesday, 02 November 2011 10:40

Ministria e Ekonomisë ka kërkuar që kompania ALBtelecom të gjobitet me 1 milion dollarë pasi ka shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorit.

“METE vëren me shqetësim se, operatori ALBtelecom është përsëritës në praktikat e tij antiligjore në dëm të konsumatorëve shqiptarë, duke shkelur ligjin për mbrojtjen e konsumatorëve, i cili në pikën 3 dhe 4 të nenit 40 parashikojnë: “faturat për shërbimet e telekomunikacionit, shpërndarë konsumatorit, duhet të përmbajnë informacion të plotë për listën e numrave të telefonave të thirrur, kohën dhe zgjatjen e telefonatave të bëra, numrin e impulseve dhe çmimin total për periudhën e caktuar”, si dhe “faturat e paraqitura konsumatorit, duhet t’i japin atij mundësinë për të verifikuar me përpikmëri llogaritjen e shitjes ose shërbimit të siguruar në një periudhë të caktuar”.

Ndërkohë që, përveç telefonisë fikse, abuzime ka dhe në shërbimin e ofruar për internetin. Ligji parashikon që në rastin e një ftese për blerje, siç është ai i ofrimit të shërbimit të internetit, konsiderohet si element thelbësor çmimi, i cili është çmimi përfundimtar i mallit, përfshirë edhe TVSH-në dhe të gjitha taksat e tjera.

ALBtelecom, në kundërshtim me këtë ligj, ka fshehur vlerën e TVSH-së në tarifat e ofruara për shërbimin e internetit. Bazuar në këto të dhëna, METE kërkon nga Komisioni për Mbrojtjen e Konsumatorit, zbatimin me përpikmëri të ligjit, i cili në këtë rast parashikon një gjobë rreth 1 milionë dollarë për operatorin ALBtelecom,” thuhet në deklaratën e METE.

Pas kësaj deklarate, ka reaguar edhe kompania në fjalë, që thotë se ka bërë investime gjigante.

“ALBtelecom dhe Eagle Mobile, menjëherë pas privatizimit filluan investimet për modernizimin e telefonisë fikse dhe gjithashtu ngritën nga zero një operator celular. Në rrjetin tonë teknologjik janë investuar më shumë se 150 milion Euro, për të sjellë më shumë shërbime cilësore, oferta dhe mundësi për opinionin publik shqiptar.

Gjendja në ALBtelecom në kohën e privatizimit ishte shumë problematike për sa i përket teknologjisë, sistemeve të faturimit, shërbimeve dhe ofertave. Kjo ishte mjaft e qartë dhe dëshmohej nga numri i madh i abonentëve të telefonisë celulare, ndersa abonentët e telefonisë fikse ishin të pakënaqur me shërbimet e ALBtelecom-it në atë kohë.

Me sistemin e saj të ri që u krijua në ALBtelecom pas privatizimit, çdo ankesë e ardhur nga klientët është hetuar me kujdes nga kompania. Tashmë ne po rrisim çdo ditë e më shumë kënaqësinë e konsumatorit duke marrë masa profesionale. Për këtë arsye, ne e kemi të vështirë të kuptojmë deklaratën e fundit të Ministrisë së Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës (METE),” thuhet në deklaratën e ALBtelecom.