Lajme Shqip Thursday, 17 November 2011 10:00

Tiranë – Çdo njeri që do të importojë një makinë të përdorur, që nga 1 Dhjetori do të paguajë më shumë në doganë.

Një ditë më parë është botuar në fletoren zyrtare udhëzimi i Ministrit të Financave, për rritjen e çmimit të referencës së importimit të automjeteve të përdorura. Kur kanë kaluar gati tre muaj nga zbatimi i ligjit të ri për importin e mjeteve të transportit të përdorura, Ministria e Financave lëshon papritur një udhëzim që rrit taksat në doganë.

Praktika e re përjashtonte nga taksat makinat e prodhuara të tre viteve të fundit, ndërsa për kategoritë e tjera do të aplikoheshin tarifa më të reduktuara, në bazë të koefiçientëve, të cilët paguhen një herë në vit. Heqja e doganës për mjetet e transportit nuk do të thotë mospagimin e taksës së TVSH-së, e cila aplikohej mbi vlerën e mjetit. Për të vërtetuar vlerën, drejtuesit e makinës paraqesin faturat, sa për proçedurë, pasi dogana zbaton skemën e saj të referencës.

Për të vërtetuar vlerën e saktë të mjetit, dogana përdor disa burime, por më kryesori është revista “Quattroruote”, e cila azhornon çmimet e makinave sipas vitit të prodhimit, llojit të karburantit dhe fuqisë motorike. Me ligjin aktual, dogana nuk pranonte vlera të mjeteve më poshtë se 70% nga sa përcaktonte revista, kurse me propozimin e fundit të ministrit të Financave, tashmë kufiri rritet në 80%.

Pra, askush nuk mund të pretendojë të importojë një makinë me çmim më pak se 80% nga sa thuhet në listën referencë të doganave. Për hartimin e këtyre ndryshimeve, ministri kishte ngritur një grup pune ad-hoc, për të vlerësuar gjendjen e tregut. Natyrshëm që rritja e marzhit të referencës ndikon negativisht te taksa që do të paguajë drejtuesi i mjetit, ndërsa Qeveria i rrit edhe më shumë të ardhurat në buxhet.

Pas zbatimit të ligjit, në ditët e para të muajit shtator u regjistruan importe të konsiderueshme të mjeteve, gati 100 copë në ditë, ndërsa shteti po rriste të ardhurat. Sipas përllogaritjeve të bëra nga ministria, për vitin 2012 parashikohen rreth 100 milionë dollarë të ardhura nga taksat e reja për makinat. Formula e re për llogaritjen e detyrimit bazohet te viti i prodhimit me koefiçient 0.18 dhe që rritet çdo vit me 0.01, dhe tek fuqia motorike.

Në bazë të të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor, autoveturat zënë rreth 70% të totalit të mjeteve dhe mbi 75% e autoveturave janë mbi 10 vjet të vjetra. Nga përllogaritjet del se, nga 280 mijë makina që qarkullojnë sot në Shqipëri, 210 mijë prej tyre janë mbi 10 vjet të përdorura. Ministria thotë se për këtë arsye, propozohet që koefiçienti sipas vjetërsisë të rritet me 0.04 për çdo vit përdorimi, pas vitit të 10 të përdorimit. Ndërsa është përllogaritur që për vitin 2012 parashikohen rreth 100 milionë dollarë të ardhura nga taksat e reja për automjetet.