Lajme Shqip Friday, 01 April 2011 15:13

Prishtinë – Komiteti Drejtues Ndërministror i Partneriteteve Publiko-Private të premten ka marrë vendim për dhënien e pëlqimeve relevante për përmbushjen e kushteve paraprake të partnerit privat, Limak Kosovo International Airport (LKIA).

Në të njëjtën kohë, u vendos që ceremonia e dorëzimit zyrtar të mbahet më 4 prill 2011, duke filluar nga ora 14, në Aeroportin Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”.

Këtij procesi, i ka paraprirë përmbushja e një numri të konsiderueshëm parakushtesh, e ndër to sigurimi i financimit nga LKIA, miratimi i dizajneve për terminalin e aeroportit, etj.

Konzorciumit Limak – Aeroports de Lyon i është dhënë kontrata për zgjerim dhe operimin e Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, më 12 gusht 2010, pasi që i ka ofruar Qeverisë së Kosovës një mesatare prej 39,42 për qind të të ardhurave bruto në këmbim me të drejtën për operim.
Konzorciumi ka premtuar se do të modernizojë aeroportin, duke investuar mbi 100 milionë euro në infrastrukturë të re, përfshirë edhe ndërtimin e një terminali të ri.
Republika e Kosovës do të mbajë 100 për qind të pronësisë së pasurive të Aeroportit.