Lajme Shqip Friday, 08 July 2011 14:59

Prishtinë – Horrori i dëshmisë së Fahrudin Gashit – “Farukut” dhënë Prokurorisë së Hagës, vijon në 6 minutat tjerë, të shkëputur nga videoinçizimi ekskluziv.

“…Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka pasur komandë e disciplinë. Pa dijen e komandantit nuk është bërë asgjë… UÇK më ka çarmatosur dy herë dhe së fundmi, në ditën kur delegacioni kosovar është nisur në Konferencën e Rambujesë, ma kanë marrë pushkën përgjithmonë Fatmir Shurdha dhe Skënder Hoti, i njohur me emrin “Tigri”. Ata më kanë çarmatosur… Ku ka tym ka edhe zjarr, dhe UÇK ka bërë kidnapime të civilëve…”, ka deklaruar Fahrudin Gashi – “Faruku”, në cilësinë e dëshmitarit të mbrojtur, në vazhdim të dëshmisë së tij për Tribunalin e Hagës.

Portali LajmeShqip.com publikon në vijim videoinçizimin e pjesës së tretë, nga një seri më e gjatë e dëshmisë së protagonistit kontravers e engimatik të Rastit “Bllaca”, të dhënë për Tribunalin e Hagës, më 21 janar 2004, në bazat e KFOR-it finlandez, në Lypjan.

Gashi, i cili ka pranuar në pjesën paraprake të intervistimit se ka qenë dhe është ende mik i mirë me pjesëtarë të ish-policisë serbe në komandën e Shtimes, i ka thënë hetuesit të Prokurorisë së Hagës se ka pasur kidnapime dhe zhdukje të civilëve gjatë luftës në zona të UÇK-së.

Sipas tij, për fatin e këtyre të zhdukurve dinë më së miri komandantët e zonave përkatëse Fatmir Limaj, Komandant Remi, Shkuri Buja, Sylejman Selimi…

Sipas dëshmisë së Gashit, ata e dinë dhe janë përgjegjës për secilin të zhdukur.

“Pa dijen e tyre nuk ka guxuar të shkrepet asnjë fishek”, potencon Gashi, duke u shprehur i bindur se “në Shqipëri dhe në vende të ndryshme mund të ketë kampe të përqëndrimit, ku janë mbajtur dhe mbahen ende pengjet e UÇK-së”, ashtu sikurse, gjithnjë sipas tij, “edhe në Serbi mund të ketë kampe ku mbahen pengje dhe të zhdukur nga Kosova”.

Fahrudin Gashi – “Faruku”, i jep këto dëshmi para hetuesit të Prokurorisë së Hagës, më shumë se shtatë vjet më parë, duke i përforcuar ato me të dhënën se ka raporte të mira dhe ka informacione nga të dyja taborret, edhe nga shqiptarët e edhe nga serbët.

Një nga problemet kyçe të Prokurorisë së Tribunalit të Hagës, përpos përmbushjes së dëshmive se “UÇK ka bërë krime mbi civilët” ka qenë përforcimi i argumentit se “në UÇK ka pasur hierarki, komandë e disciplinë në të gjitha zonat”.

Kjo pjesë e intervistimit të dëshmitarit të mbrojtur Fahrudin Gashit, ka të bëjë pikërisht me këtë temë.

Fahrudin Gashi – “Faruku” është një prej protagonistëve kyç dhe shumë kontravers në procesin gjyqësor në Rastin “Bllaca”, në të cilin është akuzuar për kryerje të krimeve të pasluftës në Kosovë.

Në ditët në vijim, Portali LajmeShqip.com do të sjellë ekskluzivisht edhe dëshmi e fakte të reja, që hedhin dritë mbi shumë ngjarje dhe zhvillime të pasqaruara për këto tema. (LajmeShqip.com)