Lajme Shqip Thursday, 15 March 2012 10:12

Vjenë– Raportuesja e Parlamentit Europian për Kosovën Ulrike Lunaçek konsideron se data e fillimit të negociatave për anëtarësim të Serbisë në BE duhet të kushtëzohet me përparim të mëtejmë në raport me Kosovën.

“Komisari europian Shtefan Fyle lidhur me këtë çështje është i qartë. Shpresoj se edhe Vjena do ta shtojë presionin ndaj Serbisë dhe qartë do t’ia bëjë me dije se pa përmirësim vendimtar të marrëdhënieve me Kosovën nuk ka fillim negociatash”, ka thënë ajo në një shkrim autorial botuar në “Die Presse” të Vjenës.

Lunaçek thekson se ‘kompromisi për të cilin u detyrua Beogradi tregon se ka qenë e drejtë shtyrja që Këshilli i Europës bëri në dhjetorin vjetëm për statusin e  kandidatit Serbisë për takimin pranveror”.

Ajo thotë se për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën duhet të shtyhen edhe ato pesë vende të BE-së që nuk e kanë njohur pavarësinë e saj.

Austria, bashkë me 21 vendet që e kanë njohur Kosovën duhet të bëjnë presion ndaj Greqisë, Qipros, Sllovakisë, Spanjës dhe Rumanisë. Fusnotën tek emërtimi Kosova a Lunaçek e ka quajtur dritë në fund të tunelit në procesin e afrimit të Beogradit e Prishtinës. (LajmeShqip.com)