Lajme Shqip Saturday, 17 March 2012 18:00

Beograd-Megjithëse nuk pyesin shumë për autoritetet e Prishtinës, autoritetet serbe kanë konsideratë për kundërshtimet, të cilat vijnë nga politikanët e bashkësisë ndërkombëtare për mbajtjen e zgjedhjeve lokale serbe në Kosovë.

Por vendimi për këtë do të merret në harmonizim me qëndrimin e UNMIK-ut, thotë në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Oliver Ivanoviç, sekretar shtetëror në Ministrinë për Kosovën të Qeverisë së Serbisë.

“Autoriteteve serbe u është dashur që t’i shpallin në gjithë territorin, për shkak se për këtë i obligon Kushtetuta e Serbisë. E vetmja pengesë, në këtë pikëvështrim, do të mund të ishte qëndrimi negativ i UNMIK-ut, i cili, deri në këtë moment, nuk është deklaruar. I autorizuari i vetëm për ta interpretuar në mënyrë autentike Rezolutën 12 44, është UNIMK-u, si mision në terren ose Kombet e Bashkuara në Nju Jork”, ka thënë Ivanoviç.

Ai ka deklaruar se respekton përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe përfaqësuesit tjerë të bashkësisë ndërkombëtare në Prishtinë, në Beograd ose në Bruksel, por vendimin lidhur me këtë çështje, “do ta harmonizojmë me UNMIK-un, sepse ai është i vetmi i vlefshëm për konsultime të këtij lloji”. Ivanoviç mendon se Serbia nuk do të ketë kurrfarë sanksionesh të veçanta nëse i organizon zgjedhjet lokale në Kosovë.

“E gjithë kjo, nga vendet që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, shikohet si një fakt i pakëndshëm. Por, Serbisë nuk mund t’i kundërshtohet e drejta kushtetuese që në gjithë territorin t’u ofrojë qytetarëve mundësinë që të votojnë, të zgjedhin dhe të jenë të zgjedhur. Qëndrimi pozitiv ose negativ i UNMIK-ut do të ishte me rëndësi të madhe”, tha ai. Sipas Ivanoviç, nëse UNMIK-u nuk pranon organizimin e zgjedhjeve serbe në Kosovë, atëherë do të kenë një situatë shumë më të rëndë.