Lajme Shqip Monday, 30 April 2012 08:20

Paris – Në një intervistë për “Parisien Dimanche”, Sarkozy vlerësoi se: “Sondazhet janë të gabuara sepse nuk marrin në konsideratë mobilizimin masiv të popullsisë. Unë pres një pjesëmarrje rekord në raundin e dytë, pasi po konstatoj një nivel unik ndjeshmërie të popullsisë ndaj politikës. Për këtë arsye, kam një besim të patundur tek rizgjedhja ime, pasi francezët e kanë kuptuar se çfarë është më e mira për ta”.

57-vjeçari, edhe një herë më shumë përsëriti qëndrimin e tij për  të mos përkrahur një koalicion me ekstremin e djathtë, në rast fitoreje. ”Mazhoranca dhe qeveria e ardhshme do të formohet nga bashkëpunimi i së djathtës republikane me forcat e qendrës”, deklaroi Sarkozy.

Aktualisht, sondazhet e japin Hollande 8% përpara në zgjedhjet e raundit të dytë, por numri i të pavendosurve dhe paqartësia se për cilin do të votojnë 18% e elektorarit që mbështeti ekstremin e djathtë në raundin e parë e bëjnë garën që të jetë ende e hapur.

Nëse do të fitojë, Hollande do të shndërrohet në presidentin e parë të majtë të Francës që prej Francois Miterrand, që drejtoi vendin në vitet 1981-95.  (T.ch)