Lajme Shqip Monday, 17 March 2014 13:49

Në Serbi, Komisioni Zgjedhor, ka publikuar të dhënat e para të rezultateve të zgjedhjeve parlamentare, të cilat tregojnë fituese Partinë Përparimtare Serbe, me në krye Aleksandër Vuçiçin. Sipas të dhënave që transmetojnë mediat serbe, kjo parti ka fituar 48.8% të votave, përkatësisht 157 nga 250 mandate. Deri më tani janë numëruar 65% e votave, me një dominim të qartë të partisë së Vuçiç, e cila dyfishon kështu votat e marra, 24% nga zgjedhjet e fundit të 2012.

Ndërkohë, vetë Vuçiç, në një konferencë për shtyp mesnatën e mbrëmshme, ka falënderuar të gjithë ata që, siç e quajti ai kontribuuan, në arritjen rezultatin më të mirë në historinë 25-vjeçare të parlamentarizmit. Sa i përket formimit të qeverisë së re, Vuçiç u shpreh se programi për qeverinë e re do të hartohet gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa qeveria e re do të jetë gati më 1 maj.

 

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve në Serbi ka bërë të ditur se pjesëmarrja e votuesve ka qenë 53.2%. Zgjedhjet e parakohshme në Serbi janë zhvilluar gati dy vjet pas zgjedhjeve të rregullta parlamentare që janë mbajtur më 12 maj të vitit 2012. Ndërkaq, rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare në Serbi do të publikohen më 20 mars.