Lajme Shqip Monday, 07 November 2011 15:20

Papandreu po e shqyrton me bashkëpunëtorët më të afërt partiak përbërjen e qeverisë së re koaliconuese

Athinë – Kryeministri grek Jorgos Papandreu është në seancë me bashkëpartiakët më të afërt në Kabinetin e tij lidhur me përbërjen e qeverisë koalicionuese, njoftuan mediat greke duke cituar burime nga PASOK-u. Në seancë do të shqyrtohen kandidatura të mundshme për kryeministër të kabinetit koalicionues si dhe përbërja.

Si kandidat më i sigurt për kryeministër përmendet këshilltari i tanishëm për ekonomi i Papandreut dhe ish-nënkryetar i BQE-së, Lukas Papadhimos.

Pas fundit të seancës Papandreu do t’i drejtohet liderit të partisë opozitare Demokracia e Re Andonis Sarmaras që të dakordohen dhe publikojnë kandidaturën për kryeministër të ri dhe përbërje të qeverisë.

“Kryeministri i ri grek do të jetë Lukas Papadhimos”, deklaroi lideri i Laosit ultradjathtist, Jorgos Karaxhaferis.

Presidenti i shtetit Karolos Papulas nuk konfirmoi se Papadimos do të jetë kryeministër i ri.

Karaxhaferis theksoi se partia nuk do t’i aprovojë masat e mëtejshme ekonomike dhe nuk është për përshpejtim të privatizimit.

“Ne do ta mbështesim qeverinë e re nën tre kushte: pa u ulur pagat dhe pensionet, pa lëshime nga sovraniteti kombëtar, pa shitje (të ndërmarrjeve shtetërore) me pushimin nga puna të punëtorëve”, theksoi Karaxhaferis. LAOS ka 16 deputetë nga gjithsej 300 në parlament.

 

##########

 

Athinë – Dy partitë më të mëdha greke mbrëmë arritën marrëveshje për formimin e qeverisë kalimtare të unitetit kombëtar, të cilën nuk do ta udhëheq kryeministri i deritanishëm Jorgos Papandreu, ndërsa 19 shkurti është akorduar si datë më e qëlluar për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme.

Debati për atë se kush do ta kryesojë qeverinë kalimtare do të vazhdojë sot, kumtoi kabineti i presidentit grek Karolos Papulas, pas bisedimeve në të cilat morën pjesë edhe kryeministri Jorgos Papandreu dhe lideri i opozitës Antonis Samaras.

“Dita e sotme ishte historike për Greqinë”, deklaroi mbrëmë pas takimit njëorësh zëdhënësi i Qeverisë greke Ilias Losijalos, duke shtuar se nëse gjithçka shkon sipas planit, qeveria e re koalicionare do të japë betimin gjatë javës së ardhshme.

Ministria e Financave gjatë natës, pas takimit të ministrit Evangelos Vanizelos dhe zëvendësit të tij Filipos Sakinidis me përfaqësues të Demokracisë së Re opozitare, kumtoi se të dyja palët janë pajtuar që zgjedhjet të mbahen më 19 shkurt.

“Afati i fundit, 19 shkurti, duhet t’i sigurojë qeverisë greke kohë të mjaftueshme që ta përfundojë ndërrimin e obligacioneve, me qëllim që ta zvogëlojë detyrimin, që është pjesë e marrëveshjes së arritur me liderët e BE-së më 26 tetor”, theksoi një burim i Ministrisë së Financave greke.

Papandreu dhe Samaras, siç është paralajmëruar, sot do të flasin për atë se kush do ta udhëheq qeverinë koalicionare në periudhën e ardhshme.

Mediat greke tani më po spekulojnë se kandidat i mundshëm për kryeministër të ri është ish nënkryetari i Bankës qendrore evropiane, Lukas Papademos.

Paraprakisht, BE-ja i dha afat Greqisë prej 24 orëve që të elaborojë se në cilën mënyrë do të formojë qeveri të re, e cila do ta zbatojë marrëveshjen në pakon e dytë të ndihmës evropiane.