Lajme Shqip Wednesday, 13 March 2013 15:51

VATIKAN-(plotesuar) Arqipeshkvi i Buenos Aires, Jorge Mario Bergoglio do të zëvendësojë Papën e dorëhequr Benedikti XVI në drejtimin e Kishës së Shenjtë.

E gjithë bota i ktheu mbrëmjen e sotme sytë nga Vatikani, kur kardinali Tauran njoftoi zgjedhjen e 76-vjeçarit Bergoglio, i njohur në konklavën e kaluar, kur ishte një ndër kandidatët potencialë për të marrë drejtimin e Kishës. Jezuiti i vetëm brenda Konklavës ka zgjedhur të quhet Papa Francesko I.Ai doli i emocionuar përpara besimtarëve të shumtë që kishin mbushur sheshin Shën Pjetër, duke u kërkuar që të luten për njëri-tjetrin dhe për të gjithë botën.

76-vjeçari Jorge Mario Bergoglio është Papa i 266-të që drejton Kishën Katolike. Ai është Papa i parë që quhet Francesko dhe i pari latino-amerikan në historinë e Kishës

115 kardinalët kanë hedhur poshtë të gjitha hipotezat për emrin e Papës së ri, pasi Jorge Mario Bergoglio nuk ishte ndër emrat favoritë për të zënë vendin e Benediktit XVI. (LajmeShqip.com)

***************************************************

Vatikan (plotesuar)- Oxhaku i Kapela Sistine ka nxjerrë tymin e bardhë që sinjalizon se selia e shenjtë e Vatikanit ka Papën e saj të ri.

115 kardinalë të mbledhur në Romë nga e gjithë bota votuan pasditen e së mërkurës për herë të pestë, duke zgjedhur kreun e ri të besimtarëve katolikë.

Kembanat e Bazilikës së Shën Pjetrit konfirmojnë zgjedhjen e Papës së ri. Tani pritet lajmërimi ‘Habemus Papam’ për të mësuar identitetin dhe emrin e zgjedhur të atit të ri të shenjtë.

Mijëra besimtarë katolikë po festojnë zgjedhjen në sheshin Shën Pjetër, me brohoritje dhe ovacione, duke e konsideruar atin e shenjtë si simbol të paqes dhe lirisë.

Zgjedhjet e parakohshme në Vatikan u mbajtën pas dorëheqjes së Papa Benediktit XVI më herët gjatë vitit, për shkak të moshës së thyer.

Lajmi për zgjedhjen e Papës së ri po qarkullon në mediat e të gjithë botës, të cilat e kanë nxjerrë atë në plan të parë në edicionet e tyre.(LajmeShqip.com)

***************************************************************

Vatikan – Nga oxhaku i Kapelës Sistine të Vatikanit doli përsëri tym i zi, që do të thotë se kardinalët nuk arritën të zgjedhin dot Papën e ri në raundin e dytë dhe të tretë të votimit. Ata do të votojnë përsëri pasdite. Disa analistë thonë se kësaj here mund të duhen më tepër se katër votime që u deshën për zgjedhjen e Benediktit në vitin 2005.

Rezultati i votimit në Kapelën Sistine, nën muralet e famshme të Mikelanxhelos është i paparashikueshëm. Kardinalëve u duhet të zgjedhin një papë, të aftë për të spastruar nga njëra anë burakricinë e korruptuar të Vatikanit dhe nga ana tjetër për të rigjallëruar katolicizmin, në një kohë kur laicizmi është në rritje.

Disa analistë thonë se këto ndarje dhe vështirësia për t’i gjetur të gjitha këto cilësi tek një njeri i vetëm nënkuptojnë se konklava për zgjedhjen e Papës së ri, ku marrin pjesë 115 kardinalë, mund të zgjasë. Për zgjedhjen e Benediktit në vitin 2005, u deshën katër votime. Kësaj here, thonë analistët, mund të duhen më shumë.

Papa Benedikti XVI tronditi botën katolike muajin e kaluar duke u bërë papa i parë në 600 vjet që jepte dorëheqjen.

Sot paradite në Sheshin e Shën Pjetrit mund të shihje përsëri vizitorë, turistë dhe murgesha, në pritje të lajmit për zgjedhjen e Papës së ri.

“Le të shpresojmë se fryma e shenjtë do të na sjellë papën e ri”, thotë një murgeshë nga Brazili.

Një kandidat duhet të marrë dy të tretat e votave, ose 77 për t’u zgjedhur në krye të Kishës Katolike. Sytë e njerëzve janë drejtuar nga oxhaku mbi Kapelën Sistine në pritje të tymit të bardhë.(LajmeShqip.com)