Lajme Shqip Tuesday, 12 July 2011 15:05

Shkup – Suzana Saliu nga BDI-ja, Svetllana Jakimovska nga VMRO-DPMNE-ja dhe Jani Makraduli nga LSDM-ja janë tre nënkryetarët e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë, të cilët sot u zgjodhën në seancën e tretë kuvendore.

Me këtë, për herë të parë Parlamenti do të ketë dy femra nënkryetare, ndërsa Saliu është femra e parë shqiptare që do të jetë në këtë funksion.

Lidhur me zgjedhjen e Saliut për nënkryetare nga BDI-ja, Ermira Mehmeti tha se përgatitja e saj akademike dhe përvoja në punë u japin për të drejtë të besojnë se me zgjedhjen e Saliut, Kuvendi do të fitojë edhe më shumë cilësi.

Në debatin për kandidaturën e Makradulit për nënkryetar të Kuvendit, grupi i deputetëve të VMRO-DPMNE-së u prononcua se do të votojë për propozimin vetëm sepse në pajtim me ligjin njëri prej nënkryetarëve duhet të zgjidhet nga radhët e opozitës, por që nuk dakordohen me zgjidhjen kadrovike që e ofron LSDM-ja. (LajmeShqip.com)

Ata janë të pakënaqur nga funksionimi i Makradulit si nënkryetar në përbërjen e kaluar kuvendore, posaçërisht në kohën kur LDM-ja e bojkojtoi Kuvendin dhe i bëjnë vërejtje për mënyrën e udhëheqjes së seancave, si dhe për sjelljen e tij personale gjatë seancave.