Lajme Shqip Friday, 09 December 2011 11:30

Londër – Kryeministri britanik, Dejvid Kameron dhe presidenti francez, Nikolla Sarkozi u ndodhën në një zënkë të ashpër në Bruksel rreth marrëveshjes për tejkalimin e krizës në eurozonë dhe për stabilizim të euros.

Sipas mediumeve britanike, Sarkozi e ka kritikuar sjelljen britanike, duke e akuzuar Londrën zyrtare se po kërkon “shkyçje të qendrës financiare Siti nga të gjitha rregullat dhe rregullativat evropiane”, që “Gardian”-i londinez e vlerëson si tentim të Parisit që të izolohet kryeministri britanik në këtë samit kyç të BE-së.

Ndaj kritikës së këtillë, Kameron, sipas burimeve diplomatike të cilave u referohet gazeta, ka reaguar ashpër, duke i akuzuar francezët se po e “shtrembërojnë të vërtetën për qëndrimin britanik”.

Me atë rast, Kameron edhe një herë ka sqaruar se pop kërkohen vetëm garancia rreth ndryshimeve në eurozonë për atë se ato nuk do ta dëmtojnë qendrën financiare londineze.

Pala britanike e akuzon presidentin Sarkozi se insiston që në këtë samit ta shfaqë Britaninë e Madhe si dikush që jeton në llogari të tjetërkujt.

Konfrontimi ndërmjet kryeministrit britanik dhe presidentit francez ndodhi gjatë takimit trepalësh, ku mori pjesë kancelarja gjermane, Angela Merkel, i mbajtur mu para fillimit formal të samitit.

Stacionet televizive britanike lajmëruan mbrëmë se në këtë takim nuk është arritur kurfarë përparimi.

Kameron në fillim të kësaj jave ishte në Paris dhe bisedoi me Sarkozin rreth propozimit francezo-gjerman për integrimin fiskal në korniza të eurozonës, si masë e domosdoshme për mirëmbajtjen e zonës së euros dhe të valutës së përbashkët evropiane, nëpër kontrollin e buxheteve dhe të shpenzimit të vendeve-anëtare.

Kryeministri britanik më pas në Londër deklaroi se Britania e Madhe dëshiron stabilizim të shpejtë të eurozonës, sepse ai është edhe interes britanik, por kërkoi garancia se ky proces i ri i integrimit, nuk do ta çrregullojë tregun unik evropian dhe qasjen e britanikëve në të gjitha industritë, duke e përfshirë edhe sektorin financiar.

Nën presion të fuqishëm të euroskeptikëve teoristë dhe partisë së djathë, të cilët konsiderojnë se tani është momenti që të rihetohen marrëdhëniet me BE-në, Kameron para nisjes për në Bruksel ashpërsoi pozicionin e vet për samitin, duke i kërcënuar me veto ndaj marrëveshjes, nëse nuk sigurohen garancia për mbrojtjen e interesave britanike.