Lajme Shqip Tuesday, 05 April 2011 21:29

Zagreb – Disa dhjetëra persona kanë marrë pjesë sot në protestë në sheshin Ban Jelaçiq, në qendër të Zagrebit, duke shprehur pakënaqësi nga qeverisja e kryeministres Jadranka Kosor.

Organizatorët përmes Fejsbukut iu bënë thirrje të gjithë qytetarëve të armatosen me vullnet të mirë dhe buzëqeshje dhe të vijnë në sheshin qendror të Zagrebit, por u mblodhën vetëm disa dhjetëra persona.

Protesta zgjati shkurt, ndërsa pjesëmarrësit u dakorduan sërish të protestojnë të premten.

Në protestën paraprake, të premten e kaluar u mblodhën rreth një mijë persona, por gjatë marshit protestues nëpër qytet dhe para kompanive shtetërore, të cilët u akuzuan për korrupsion, numri i protestuesve gradualisht zvogëlohej nga 200 deri 300 pjesëmarrës.

Me protestat e qeta në Kroaci, të cilat po vazhdojnë më shumë se një muaj, po kërkohet dorëheqja e Qeverisë dhe shpallja e zgjedhjeve parlamentare.