Lajme Shqip Saturday, 19 October 2013 13:39

Kampet e trajnimit të vahabistëve tashmë që prej kohësh dhe në mënyrë mjaft të suksesshmë veprojnë në shumë vende evropiane, po ashtu si, në fakt, edhe në mbarë botën. Autoritetet e vendeve të Evropës ose bëjnë një sy qorr e një vesh shurdh ndaj kësaj, ose qëllimisht i injorojnë dhe i lënë në heshtje faktet. Hetimi i zhvilluar nga Radiokompania “Zëri i Rusisë” ka konfirmuar: Xhihadi ka filluar tashmë në Evropë.

Faktet dëshmojnë në mënyrë mëse evidente se islamistët radikalë në Francë po bëhen gjithnjë e më aktivë. Por autoritetet evropiane preferojnë të mbyllin sytë ndaj këtij problemi global – pas çdo sulmi të ndërmarrë nga ana e terroristëve konfirmohet se fjalë bëhet thjesht për një rast të veçantë. Një pikëpamjeje të tillë i përmbahet, për shembull, specialisti i l’European Security Intelligence and Strategy Center, Alain Chouet:

– Po, vërtetë, ka njerëz të rinj të cilët shfaqin interesim ndaj veprimtarisë së “Al-Qaeda-s” në Internet. Por ne nuk duhet të ekzagjerojmë përmasat e këtij fenomeni: në krahasim me komunitetin pesë milionësh mysliman në Francë, këto raste janë të pakta. Megjithatë, ne kemi marrë masa policore dhe ligjore, të cilat na lejojnë që të veprojmë me një parashikueshmëri dhe parandalim shumë të lartë. Ne kemi një rrjet të shërbimit të fshehtë të brendshëm politik, i cili ka një përfytyrim të plotë të asaj që po ndodh në “komunitetet e mbarsura me rrezik”. Kombinimi i mundësive ligjore dhe atyre të shërbimeve të brendshme të zbulimit na lejon të monitorojmë nga afër të gjithë ata që mund të përbëjnë ndonjë rrezik në këtë fushë. Kjo nuk do të thotë aspak se fjalë në këtë rast bëhet për terroristët, ne flasim më tepër për ata të cilët mund të tundohen për t’u bashkuar me xhihadistët.

Kurse nga vendi fqinj, Belgjika, tablloja franceze shihet krejtësisht ndryshe, tregoi për Radiokompaninë “Zëri i Rusisë” Presidentja e Nderit e Senatit belg Anne-Marie Lizin:

– Në Francë dhe në Belgjikë po vazhdon rekrutimi i të rinjve dhe meshkujve të moshës së mesme për operacionet në emër të xhihadit. Njerëzit shkojnë në luftë për të holla, ka disa fuqi të caktuara që paguajnë për operacione të tilla. Operacionet për rekrutim zhvillohen nga njerëz të besimit sunit dhe ithtarë të rrymave ekstremiste fetare – me një punë të tillë është angazhuar në mënyrë krejtësisht të vetëdijshme Arabia Saudite.

Edhe më shokuese, befasuese janë të dhënat që përmend në librin e tij me titull “Les Égarés” (“Të mashtruarit” apo “Të humburit”) gazetari francez Jean-Michel Vernochet. Ai ka zbuluar se gjatë këtyre kohëve të fundit në Francë janë trajnuar rreth 400 militantë vahabistë, të cilët janë nisur për të luftuar në anën e opozitës siriane. Herët apo vonë ata do të kthehen në shtëpi (në atdhe), por pas përvojës së luftës ata vështirë se do të preferojnë jetën e gjindjes së zakonshme. Kështu që xhihadi, sipas mendimit të Vernochet, tashmë ndodhet në hyrje të qyteteve evropiane, por autoritetet e tyre vazhdojnë të bëjnë sikur nuk po ndodh asgjë. Madje më tepër se kaq, në rastin e Francës fjalë bëhet tashmë jo vetëm për aktet terroriste, shprehet me bindje të plotë gazetari francez. Sipas të dhënave në dispozicion të tij, Katari, po ashtu si dhe Arabia Saudite, po e blejnë pak nga pak Francën. Katari zotëron tani klubin e futbollit “Paris Saint-Germain”, një pjesë të aksioneve të gjigandit financiar “Vinci”, letra me vlerë të kompanisë së naftës “Total”. Parashikimi i Jean-Michel Vernochet është i tillë: francezët nuk duhet të habiten aspak në qoftë se pas 10 vjetësh ata do t’i detyrojnë të kryejnë namaz nën kërcënimin e tytave të armëve, kur të fshijnë nga faqja e dheut Katedralen Notre Dame, të presin të gjitha vreshtat dhe të mbulojnë gratë dhe bijat e tyre me ferexhe (perçe). Dhe kjo do të jetë fizionomia e Francës së re, vahabiste. /Koha/