Lajme Shqip Thursday, 18 August 2011 16:30

Shkup – Zv/kryeministri i Qeverisë së Maqedonisë, Musa Xhaferi, ka realizuar të enjten takim lamtumirës me shefin e delegacionit të Bashkimit Evropian në Republikën e Maqedonisë, Piter Sorensen.

Xhaferi ka falënderuar ambasadorin Sorensen për angazhimin e tij dhe bashkëpunimin e mirë të Qeverisë së Maqedonisë-Sekretariatit për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit duke i dëshiruar suksese në detyrën e re. Zv/kryeministri Xhaferi ka thënë se një nga prioritetet e Qeverisë së re të vendit mbetet implementimi i Marrëveshjes së Ohrit, si një nga kushtet për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian (BE).

“Në takim u bë fjalë edhe për shënimin e 10 vjetorit të nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit dhe implementimin e obligimeve që burojnë nga ky dokument paqësor si dhe për procesin e regjistrimit, proces ky i cili duhet të realizohet në muajin tetor të këtij viti”, thuhet në komunikatën e kabinetit të Xhaferit.

Ndërkohë, ambasadori Sorensen ka uruar Xhaferin për emërimin e tij në postin e zëvendëskryeministrit që drejtpërdrejt do të jetë i angazhuar për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit. Sipas tij, Sekretariati për implementimin e Marrëveshjes së Ohrit, përkatësisht Qeveria e RM-së dhe Delegacioni i KE-së në Maqedoni kanë pasur bashkëpunim të mirë dhe se ky bashkëpunim nuk do të mungojë edhe në të ardhmen. (LajmeShqip.com)