Lajme Shqip Saturday, 03 September 2011 20:23

Washington – Në ndërtesën qeveritare në Tripoli ekzistojnë informata për lidhje të ngushta në të kaluarën midis CIA-s dhe shërbimeve zbuluese të regjimit të Moamer Gadafit, publikoi Wall Street Journal.

Gazeta britanike “Indipendent” gjithashtu publikoi informatë për lidhje në të kaluarën midis zbulimit britanik dhe libian.

Gjatë mandatit të George W. Bushit, CIA i ka dorëzuar terroristë të dyshuar regjimit të Gadafit, thekson gazeta duke cituar dokumente të cilat janë zbuluar në qendrën e zbulimit libian. Në atë kohë shërbimet zbuluese i ka udhëhequr Musa Kusa – nga viti 1994 deri në vitin 2009, ndërsa pastaj ai ishte ministër i Punëve të Jashtme.

Kusa iku nga regjimi në Tripoli dhe shkoi në Londër më 30 mars.

Në vitin 2004, CIA ka pasur “prezencë të përhershme” në Libi thuhet në dokumentet edhe atë, sipas një përfaqësuesi zyrtar amerikan, ka qenë për shkak të tentimeve të Libisë që të dalë nga izolimi diplomatik i imponuar nga Perëndimi.

“Në vitin 2004, SHBA-ja ka arritur ta bind Qeverinë libiane që të ndalojë me programin për armë bërthamore dhe të ndihmojë në arrestimin e terroristëve të cilët janë përgatitur për sulme ndaj interesave amerikane”, thotë një burim i cili ka kërkuar të mbetet anonim. Dokumentet nga arkivi janë gjetur nga përfaqësues të Human Rights Wathc, të cilët i kanë dhënë kopje gazettes.